Kodi i ri zgjedhor miratimi në Kuvend, PD-LSI: Shkel rekomandimet e OSBE-ODIHR

Pas njoftimit të kryeministrit Rama për votimin në Kuvend të Kodit Zgjedhor, nuk vonoi as reagimi i opozitës jashtëparlamentare. Përfaqësuesit e PD-LSI në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili argumentuan se ky votim do të thotë shkelje e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, ndërsa refuzimit të mazhorancës për të garuar me koalicione i përballën modelin që aplikohet në Itali.
Për opozitën e bashkuar, ndryshimi i rregullave në mes të lojës duke miratuar në Kodin Zgjedhor ndryshimet kushtetuese, të njëanshme sipas saj, fsheh qëllimin e vërtetë të Edi Ramës.
Pavarësisht trukut që po bën Edi Rama, sipas tyre, opozitarët jashtë parlamentit janë të bindur se 25 prilli do të sjellë me vete erën e re të rotacionit politik.
Ftesës së përsëritur të Ramës për të treguar qoftë një model që ka edhe listat e hapura edhe koalicionet me listë të përbërë, Bylykbashi ia vendosi përgjigjen në tavolinë, e marrë nga përtej Adriatikut.
“Sot kemi provën. Në Kodin aktual është modeli që përdor shteti italian, i rikonfirmuar në vitin 2017”, deklaroi ai.
Bylykbashi e Vasili nënvizojnë se kandidimi i kryetarit të partisë në 4 qarqe, shkon ndesh me rekomandimet e OSBE-ODIHR. Por pavarësisht kësaj mazhoranca, akuzojnë ata, po vazhdon pazaret e saj të pista në sallën e Kuvendit. Ndaj thirrjen e fundit, opozitarët e kanë për ndërgjegjen e çdo ligjvënësi.