Kokëdhima lihet në burg: Xhamin e theva për t’u mbajtur, jo për t’i dëmtuar

Gjykata e shkallës së parë në Vlorë ka pranuar kërkesën e Prokurorisë duke lënë në burg Mihal Kokëdhimën, pronari i një restoranti në Porto Palermo i cili u përfshi në një video-skandal ku sulmonte disa turistë spanjollë. Pas përfundimit të seancës Av. Arjon Besimaj tha se do ta ankimojë vendimin, me shpresën se Gjykata Apelit nuk do ndikohet nga jehona mediatike që iu dha ngjarjes. Gjithashtu ai bëri edhe një përshkrim të asaj që kishte ndodhur, sipas palës mbrojtëse. “Turistët kanë vajtur në restorant për të ngrënë, pas pesë minutash janë ngritur dhe kanë ikur. i ka dalë zotëria përpara dhe i ka thënë “mos ikni pa bërë pagesën” dhe ndërkohë ka marrë Policinë në telefon, kjo është e verifikueshme shumë lehtë. Kur kanë parë që ka marrë Policinë i dhanë gaz makinës dhe e morën zvarrë Kokëdhimën dhe nuk ndaluan gjatë gjithë rrugës”, tha Besimaj. Mbi Kokëdhimën rëndojnë 3 akuza, për “Kanosje”, “Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Shkatërrim te pronës”.Gjatë seancës gjyqësore, Kokëdhima komentoi edhe postimin në Facebook të Kryeministrit Rama, i cili e quajti barbar që shkeli mbi kodin e mikpritjes, duke thënë: “Unë e kam edhe mik”.

Avokatët mbrojtës të tij kanë kërkuar që Kokëdhima të lihet i lirë me garanci pasurore, pasi nuk plotësohen kushtet për arrest me burg. Ata pretendojnë gjithashtu se shoqëruesit e turistëve kanë sulmuar Kokëdhimën.

Ndërsa gjatë dhënies së versionit të tij për ngjarjen, Kokëdhima ka thënë në lot: “Më morën zvarrë me makinë, nuk kam prekur njeri me dorë. Ku janë faktet që i preka me dorë. Unë nuk e theva xhamin për t’i dëmtuar, por për t’u mbajtur”.

Më pas ai ka shtuar: “Unë mora targën e mjetit, telefonova policinë, por ata futën marshin që të më shtypnin dhe unë u hodha në kroskot. Kam dy fëmijë në shkollë në Gjermani, ne dy muaj punojmë. Më lini të punoj”.

Shkarkoni aplikacionin e A2