Kombëtarja e femrave, Grima kthehet në detyrë, drejton vajzat kuqezi ndaj Skocisë

Vetëm pak kohë pasi mori pafajësinë, pas arrestimit për akuzat si pjesëtar i grupit kriminal të Bajrave, Armir Grima kthehet në krye të Kombëtares së femrave. Ai u la i lirë nga Gjykata, pasi nuk kishte prova që e implikonin dhe tani, kur ka kaluar një vit nga arrestimi, trajneri flet për periudhën e vështirë që përjetoi.
“Ka qenë një periudhë që nuk do t’ia uroja askujt ta provojë, por duke pasur afër miqtë, gjithçka kalon”, u shpreh jo pa emocion trajneri kuqezi.
Grima vlerësoi edhe besimin e Federatës, për të vijuar projektin e nisur me vajzat kuqezi.
“Është një vlerësim i madh që Federata nuk e ka humbur besimin pas atyre problemeve, ndihem i vlerësuar që jam kthyer në detyrë, i lumtur që do të vijojmë projektin aty ku e lamë”, shtoi Grima në konferencën për shtyp.
Shqipëria e femrave luan ndeshjen e katërt në kualifikueset e Europianit, më 8 nëntor ndaj Skocisë. Vajzat kuqezi janë të fundit në grup, pas tre humbjeve të pësuara, dy përballë Finlandës dhe një ndaj Portugalisë.
Sipas Grimës, “kemi luajtur me ekipet më të mira që janë pretendente në Europë. Ne mendojmë të surprizojmë një ekip si Polonia, ku morëm dhe një barazim atje, dhe pretendojmë mos të jemi ekipi i fundit në grup”.

Shkarkoni aplikacionin e A2