“Kompleksi fantazmë” në Durrës, banorët të paqartë me fatin e banesave

Pa kaluar një muaj nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, kompleksi i pallateve me 280 apartamente banimi në lagjen 17 në Durrës, ishte një nga provat e përdorura nga kryeministri Edi Rama për t’u treguar homologëve të rajonit dëmet që kishte shkaktuar tërmeti në qytetin bregdetar.
Por që nga ajo ditë në këtë kompleks banimi nuk ka ndryshuar asgjë. Kur kanë kaluar 6 muaj nga tërmeti, në një nga komplekset më të banuar nuk ka ende një zgjidhje me çfarë do te ndodhe me objektin.
Banorët shprehen të indinjuar nga mungesa e vëmendjes së strukturave lokale dhe atyre qendrore, të cilat ende nuk kanë dhënë një qëndrim zyrtar se çdo të ndodh me banesat e tyre.
“Në këto 6 muaj e vetmja përgjigje që kemi marrë është nga Instituti i Ndërtimit që deklaronte se godina nuk do prishej, por që duhej një studim të thelluar. Janë bërë vetëm analizën e betonit, nuk është bërë skaneri i hekurit dhe as analiza e thelluar”, thonë banorët për A2.
Banorët vijnë çdo ditë për të parë nga jashtë banesat e tyre, madje disa kanë vendosur edhe sisteme alarmi për të ruajtur ato gjera që i shpëtuan tërmetit.
“Kemi vendosur sistemin e alarmit nga xhepi jone, nga kati i peste e sipër janë të kompletuara” thotë një banore.
Të braktisura nga pronarët, këto apartamente janë kthyer kohët e fundit në strehë të përkohshme të shtetasve sirianë që përdorin vendin tonë si pikë transiti drejt vendeve të BE-së.