Konferenca e Donatorëve, Civici: Përtej euforisë, kujdes nga problemet tona të zakonshme me menaxhimin

Për ekspertin e ekonomisë, Prof. Dr. Adrian Civici, paratë e mbledhura në Konferencën e Donatorëve për Shqipërinë janë një shprehje besimi për vendin tonë, përtej mirënjohjes. “Sot bëhen shumë konferenca të kësaj natyre, por fakti që në raportin relativ me madhësinë që ne kemi, interesin gjeopolitik që paraqesim, kjo mbështetje ka vlerë politike, jo vetëm financiare”, tha Civici, i ftuar në studion e “Dita Jonë”. Megjithatë, sipas Civicit, tani është e rëndësishme që Shqipëria të tregojë se mund të përballojë këtë përgjegjësi të madhe. “Euforia është e justifikueshme, sepse nuk e prisnim këtë shumë, por është edhe një oksigjen shumë i domosdoshëm për ekonominë shqiptare. Me siguri që viti 2020 apo 2021 do ta ndiejnë rritjen e ekonomike. Por duhet të jemi të kujdesshëm sepse nuk do të ishte fare pozitive nëse do të fillonin të dilnin problemet tona të zakonshme me menaxhimin e këtyre fondeve”.