Korçë, shkolla në Floq nuk pret nxënësit e saj, e zënë nga të dëmtuarit e tërmetit

Ndërsa të gjithë oborret e shkollave gumëzhijnë nga zërat e nxënësve, ajo e Floqit është në heshtje këtë fillim viti shkollor.
Në këtë shkollë vendin e nxënësve prej katër muajsh e kanë zënë familjet që u janë prishur banesat nga tërmeti i rënë 1 qershorin e këtij viti.
Për këtë arsye nxënësit e shkollës së Floqit janë transferuar në shkollën e fshatit fqinj, në Pulahë, rreth 5 kilometra larg.
Edhe pse transporti behet me autobus i cili i çon në mëngjes dhe i merr në drekë, për prindërit largësia e shkollës, është një hall më shumë, përveç hallit të madh për banesat e prishura dhe kushtet e papërshtatshme të jetesës në ambientet e shkollës.
“Deri tani nuk na kanë thënë asnjë gjë, vetëm se këtu do të rrimë deri ne nëntor”, thonë të preokupuar banorët e strehuar në godinën e shkollës.
Në këtë situatë problematike në fshatin Floq, i vetmi lajm pozitiv është që vetë fëmijët ndjehen mirë, teksa kanë filluar shkollën në fshatin Pulahë dhe se shkolla aty i pëlqen më shumë se shkolla e Floqit.
Edhe pse ritmi i punimeve në banesat e prishura nuk është premtues dhe banoret janë pesimistë se do të futen në banesa para 1 nëntorit, autoritetet lokale besojnë “se fundi i tetorit do t’i gjejë banorët në shtëpitë e rregulluara”, siç thotë Kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo.
Urojmë që ky premtim të mbahet, pasi dimri po troket dhe do të vështirësojë jo vetëm jetën e këtyre banorëve që jetojnë në shkollë por edhe të fëmijëve që do ta kenë më të vështirë të ndjekin mësimet në shkollën e fshatit tjetër.

Shkarkoni aplikacionin e A2