Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 50%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 50%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Koronavirusi, Basha: Qeveria të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në të gjithë territorin

Nga A2 CNN
23 Mars 2020, 15:07 | Aktualitet
Koronavirusi, Basha: Qeveria të shpallë gjendjen e

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i bëri edhe njëherë thirrje kreut të qeverisë, që të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në të gjithë territorin e vendit, për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi dhe të mbyllë bizneset me dendësi të madhe punonjësish në ambjente të mbyllura.

“Dua t’i bëj sot thirrje qeverisë të shpallë gjendjen  e fatkeqësisë natyrore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Dua, po kështu, t’i bëj thirrje qeverisë të urdhërojë menjëherë mbylljen e të gjithë bizneseve me dendësi të madhe punonjësish në ambjente të mbyllura, siç janë fasoneritë, call-centers apo të tjera fabrika prodhimi  ku afërsia fizike e punonjësve përbën një rrezik të pashmangshëm për transmetimin e virusit dhe për kthimin e tyre në bartës dhe infektues përmes virozës”, tha Basha.

Më tej, kreu i demokratëve u shpreh se shumë njerëz sot janë në vështirësi për shkak të mbylljes së bizneseve dhe vendeve të punës dhe për këtë arsye qeveria duhet të detajojë planin e saj ekonomik dhe të ndalë çdo shpenzim tjetër nga buxheti.

“Ndaj dua të përsëris përultësisht thirrjen time ndaj qeverisë: Të mos vonojë detajimin e paketës së ndihmës që ka shpallur dhe të bëjë gati një paketë tjetër, sepse kjo është qartësisht e pamjaftueshme. Të gjithë ata që do të detyrohen të qëndrojnë në shtëpi për shkak të mbylljes së biznesit apo për shkak të mbylljes së bizneseve, ku janë punëmarrës, duhet të marrin pagën e mjaftueshme për të vazhduar minimumin jetik në shtëpitë e tyre. Dhe kjo është një përgjegjësi shtetërore. Ndaj thirrja ime është që menjëherë të ndërpritet çdo shpenzim tjetër, të ndërpritet çdo transferim tjetër nga thesari”, shtoi Lulzim Basha.

Gjatë deklaratës së tij, Basha nuk harroi dhe thirrjen drejtuar qytetarëve që të zbatojnë masat e distancimit publik, si një nga armët më të forta që kemi në dorë për të luftuar këtë virus.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli