Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Koronavirusi, pse nuk ulen çmimet e shtëpive dhe qiratë?

Nga A2 CNN
9 Prill 2020, 11:08 | Aktualitet
Koronavirusi, pse nuk ulen çmimet e shtëpive dhe qiratë?

Koronavirusi e shfaqi efektin e tij menjëherë në tregun imobiliar në Itali, ku çmimet e pronave ranë ndjeshëm. Të gjithë nxitonin të shisnin, por dhe shumë të tjerë gjurmonin okazionet gati për të blerë më lirë.

Edhe në Shqipëri tregu imobiliar u infektua nga koronavirusi. “Si çdo industri tjetër, edhe e jona, ka frenuar totalisht. Kemi punuar vetëm 5 ditët e para të muajit mars”, tregon për A2 Erion Xhaferraj, nga “Remax Albania”.

Por ndryshe nga shteti fqinj, çmimet nuk u ulën. “Pavarësisht rekomandimeve tona për ulje të çmimeve të qirave, ndoshta mbas një muaji do të ndryshojë pasi klientët nuk kanë marrë ende mundimit të ulin çmimet”, thotë Fjordi Subashi, nga “Century 21”.

“Në shumicën e rasteve, njerëzit po luajnë lojën “le të presim”. Sepse askush nuk e di se si do të shkojnë gjërat”, tregon Xhaferraj. “Sigurisht që ka oportunistë që duan të nuhasin ndonjë okazion, por nuk ka ende të tillë”. “Po bëjnë vlerësimet e veta dhe po shikojnë nga maji nëse do t’i mbajnë lekët që kanë, apo t’i investojnë”, thotë Subashi.

Në kushtet e izolimit, agjencive imobiliare u është dashur të përshtaten. Disa duke u sugjeruar klientëve ulje të çmimeve të fryra, kryesisht qirave, disa duke përdorur teknologjinë.

“Jemi munduar të bëjmë gjëra ndryshe, si ture virtuale në rast që nuk e shoqëron dot klientin. Kemi filluar me syze 3D, që ta ketë eksperiencën sa më të mirë, por nuk ndikon fare”, thotë Xhaferraj.

Prej kohësh, çmimet e shitjes së pronave apo qiratë në vendin tonë njihnin veç rritje. Ekspertët thonë se ulja do të vijë, por, ashtu si mjekët për zhdukjen e virusit, nuk kanë ende një afat.

A2 CNN Livestream

Dita jonë