Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Kosnett dhe Scott: Taksa të hiqet, bisedimet të rifillojnë, 2019 viti i marrëveshjes

Nga A2 CNN
8 Shkurt 2019, 17:27 | Kosova
Kosnett dhe Scott: Taksa të hiqet, bisedimet të rifillojnë, 2019

Pas BE-së, është radha e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që t’i kërkojnë Kosovës heqjen e tarifës 100% ndaj mallrave serbe. Me anë të një deklarate të përbashkët, ambasadori i Uashingtonit në Prishtinë, Philip Kosnett dhe ai në Beograd, Kyle Scott u bëjnë thirrje dy palëve që të ndalojnë provokimet dhe të vijojnë dialogun.

https://a2news.com/2019/02/01/haradinaj-taksa-nuk-eshte-kunder-shba-por-rusise/

“Është koha që Kosova të pezullojë taksën, që Serbia të përgjigjet në mënyrë konstruktive, që  të marrin fund provokimet nga të dyja anët, dhe që të dyja palët ta përqafojnë paqen guximshëm. Nëse e bëni këtë, jemi optimistë se mund të arrini një marrëveshje historike për normalizim në 2019-ën”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Diplomatët ritheksojnë se Prishtina dhe Beogradi do të kenë mbështetje të plotë nga Amerika për të arritur dhe zbatuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse pajtimi. Megjithatë ka shumë pak gjasa që qeveria e Kosovës të heqë taksën, pasi kryeministri Ramush Haradinaj ka ripërsëritur shpeshherë se kjo do të ndodhë vetëm me njohje reciproke.

Aktualisht dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës që ndërmjetësohet nga BE është pezulluar dhe nuk ka një datë kur mund të rifillojë. Serbia nuk pranon të marrë pjesë në bisedime për shkak të taksës.

Presidenti i Kosovës: Të dëgjojmë miqtë ndërkombëtarë

Në një mendje me ndërkombëtarët është dhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai u shpreh kundër taksës, por akuzoi dhe Serbinë për veprime agresive kundër Kosovës.

Në një intervistë për portalin Indeksionline, Thaçi sqaroi se Prishtina nuk do të lejojë që të perceptohet si pengesë për vazhdimin e dialogut.

 Ai kërkoi që të respektohen këshillat e miqve ndërkombëtarë pasi sipas Thaçit, Kosova ka pasur gjithmonë sukses me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, BE-së dhe NATO-s.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu