Kosovë-Izrael, një marrëdhënie jo thjesht dypalëshe

Para pak ditësh, Kosova nënshkroi marrëveshjen mes saj dhe Izraelit madje po bëhen gati detajet për çeljen e ambasadave respektive në secilin vend. Kjo marrëveshje erdhi menjëherë pas njohjes që Izraeli, një vend jo pa rëndësi në arenën botërore, i bëri Kosovës dhe pavarësisë së saj.

Por, menjëherë pas këtij veprimi debati ka nisur, edhe pse deri në këto momente në heshtje. Jemi përballë disa çështjeve të diskutuara prej shumë kohësh që indirekt i lidh këto dy vende. Nga njëra anë kemi marrëdhënien Kosovë-SHBA dhe orientimin tërësisht pro amerikan të Kosovës.

Kemi një marrëveshje që ka vite që pas luftës që diskutohet mes Kosovës dhe Serbisë për një plan paqeje mes tyre dhe duke parë nga e ardhmja.

Plani tjetër është marrëdhënia shekullore Izrael-Palestinë dhe ndërfutjen e Kosovës mes tyre jo direkt, por e parë në planin ekuivalent të një vendi që s’po e njeh njeri. Dhe në këtë kuadër shumë analistë, madje edhe shtete, kanë vendosur shumë paralele mes Kosovës dhe Palestinës si dy vende të vuajtura dhe të panjohura në arenën ndërkombëtare si shtete të pavarura.

Në këtë moment vjen njohja e Kosovës pikërisht nga Izraeli, armiku kryesor i Palestinës. Por nuk mbetet me kaq, vendi ku do jenë ambasadat në Izrael mbetet një debat i ri nisur nga SHBA, të cilat ishin të parat që i spostuan zyrat në Jerusalem nga Tel Avivi. Vendi i tretë që pason këtë do të jetë mesa duket Kosova.

Bashkimi Europian ka qenë kundër kësaj lëvizje dhe pikërisht në këtë moment vlen debati se çfarë roli ka Kosova në gjithë konfigurim. Të mos harrojmë edhe një detaj të fundit, e gjithë kjo ngjarje u ngjiz në tryezën e Trump-it në shtator dhe teksa pushteti atje ndryshoi dhe presidenti i ri Biden ende nuk është shprehur për këtë lëvizje, atëherë mbetet e paqartë e ardhmja e kësaj lëvizje në arenën e politikës botërore të Izraelit dhe Kosovës.

Për këtë çështje foli në A2 analisti Ever Bytyçi.