Kritika për Von der Leyen, “portofoli për emigracionin ka mesazh ksenofob” – A2

Kritika për Von der Leyen, “portofoli për emigracionin ka mesazh ksenofob”

Lum kritikash kundër Ursula Von der Leyen. Caktimi i një portofoli që lidh mënyrën europiane të jetesës me emigracionin, shihet si përqafim i politikave të së djathtës ekstreme.
Lista e propozimeve për skuadrën e re të Komisionit Europian, u vlerësua për barazinë gjinore dhe larmishmërinë por Ursula Von der Leyen nuk ju shmang dot kritikave. Në fokus të veçantë është posti i komisionerit për mbrojtjen e mënyrës europiane të jetesës, përgjegjës edhe për emigracionin dhe sigurinë.
Portofoli iu dha ish parlamentarit grek Margaritis Shinas, pjesëtar i “Demokracisë së Re” në pushtet dhe zëdhënës aktual i Komisionit Europian. “Ne duhet të adresojmë frikën tonë legjitime dhe shqetësimet lidhur me ndikimin e emigracionit të paligjshëm në ekonomi dhe shoqëri”, shkruan Von der Leyen në letrën ku përcaktohen përgjegjësitë e Shinas.
Sipas kritikëve, portofoli orientohet drejt retorikës së djathtë. Deputetja holandeze Sophie in ‘t Veld e cilësoi lëvizjen si groteske. Për deputeten, “implikimi i evropianëve duhet të mbrohet nga kulturat e jashtme dhe një narrativë e tillë duhet të refuzohet”.
Amnisti International akuzoi BE për përvetësim të pikëpamjeve të se djathtës ekstreme duke lidhur emigracionin me sigurinë. Unioni tregtar europian e cilësoi portofolin e ri, si një slogan të së djathtës ekstreme.
Gjithashtu Ska Keller, përfaqësuese e të gjelbërve në parlament tha se është e frikshme të shohësh propozimin për një portofol që lidh mënyrën europiane të jetës me emigracionin dhe mbrojtjen kufitare.
“Shpresojmë që presidentja Von Der Leyen të mos shohë një kontradiktë mes mbështetjes së refugjatëve dhe vlerave europiane”, deklaroi Keller. Duke ju përgjigjur kritikave, Von der Leyen tha se roli ishte përfshirë në strategjinë politike të publikuar në korrik.

Shkarkoni aplikacionin e A2