Kriza e pandemisë, bizneset e vogla presin një vit pa shitje dhe investime

Pandemia është larg prej përfundimit për bizneset e vogla, që shihen si më të goditura nga kriza dhe kanë pritshmëritë më të ulëta për t’u rimëkëmbur. Një vrojtim për gjendjen e ndërmarrjeve i realizuar nga Banka e Shqipërisë, tregon se shitjet e biznesit të vogël kanë pasur një rënie më të fortë se sa bizneset e mesme dhe të mëdha për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2020.
Për më tepër, teksa kategoritë e tjera shohin një përmirësim në bilancet e tyre, të vegjlit presin një rënie të shitjeve edhe përgjatë këtij viti.
Sipas ekspertit për ekonominë, Arbi Agalliu, goditja e bizneseve të vogla dhe të mesme ishte e pritshme për shkak se operojnë kryesisht në fushën e shërbimeve. Por mungesa e ndihmës nga qeveria ndikoi në rëndimin e gjendjes së tyre.
“Janë mbyllur shtete si Anglia, Italia, Gjermania, Shtetet e Bashkuara, por kanë ndihmuar bizneset, jo vetëm nuk i kanë marrë para por kanë injektuar likuiditet për këto biznese, në Shqipëri jo vetëm nuk u dhënë para por u kërkua që të paguheshin detyrimet”.
Sipas Agalliut, masa si heqja e tatimit mbi fitimin nuk kanë një impakt real tek biznesi dhe u ndërmor kryesisht për efekt elektoral.
“Po të vesh re në 2020 pjesa më e madhe e bizneseve ishin me humbje, çfarë tatim fitimi do të ketë kur je në humbje? Prandaj tatim fitimi u bë zero. Para zgjedhjeve, bizneseve që kishin nevojë për hapësira publike është hequr kostoja, dhe unë do ta përktheja si tentativë për të orientuar fluksin e votës”, vijon ekonomisti.
Sipas vëzhgimit të Bankës së Shqipërisë, në këtë situatë, të vegjlit e shohin të pamundur zgjerimin e veprimtarisë së tyre përmes investimeve, madje parashikojnë tkurrje.

  • LAJMI I FUNDIT | Ministria e Shëndetësisë: 1 viktimë në 24 orët e fundit, 39 raste
  • LAJMI I FUNDIT | MSH: 71 pacientë në spitale, 7 në terapi intensive, asnjë në intubim
  • LAJMI I FUNDIT | Ministria e Shëndetësisë: 1 viktimë në 24 orët e fundit, 39 raste