Kriza në Shkodër, Vllaznia bojkoton stërvitjen, tre muaj pa paga

Futbollistë te Vllaznisë bojkotojnë stërvitjen, për shkak të pagave të prapambetura. Ekipi nuk paguhet prej tre muajsh dhe lojtarët kishin njoftuar drejtuesit e klubit se nëse situata nuk përmirësohej, do të ndërmerrnin hapin ekstrem, duke refuzuar të dilnin në stërvitje.
Për të qetësuar situatën, nuk mjaftoi as takimi që futbollistët zhvilluan me administratorin e klubit, Suad Lici. Drejtuesi provoi t’u sqaronte problematikat dhe premtoi se brenda dhjetë ditëve, çdo problem do të zgjidhej.
“Nuk është problematikë e re, jemi të detyruar të respektojmë ligjet e shtetit shqiptar, pasi nuk janë miratuar bilancet, kështu qe jemi të bllokuar. Pandemia ka bërë të vetën, nuk mund të paguajmë një punë të pabërë, e kam bërë të qartë lojtarëve”, deklaroi administratori i Vllaznisë, Suad Lici.
Pas takimit, lojtarët u mblodhën në dhomat e zhveshjes, ku morën vendimin të mos dilnin në stërvitje.
“Është vendim që e morëm të gjithë çunat bashkë, jemi 4 muaj që nuk paguhemi. Është bërë e pamundur të flitet për futboll në këtë pikë”, tha kapiteni i ekipit shkodran, Gilman Lika.
Bojkoti, kur kanë mbetur më pak se dy javë nga data e caktuar për rifillimin e kampionatit, rrezikon sezonin e Vllaznisë, me ekipin që mund të përfaqësohet nga futbollistët 19-vjeçarë të Akademisë, në ndeshjen e parë ndaj Flamurtarit.