Kriza për taksën, Kosnett: Duhet udhëheqje e guximshme

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ritheksoi kërkesën amerikane për heqjen tarifave ndaj mallrave serbe.
Sipas tij ky nuk është një vendim i mirë për Kosovën dhe Shtetet e Bashkuara. Philipp Kosnett “Ne kemi rezistuar të japim ndonjë ultimatum. Ne nuk duam ta diktojmë punën e qeverisë së Kosovës. Besojmë fuqimisht që pezullimi i përkohshëm i taksës do ta ndihmojë ecjen përpara të procesit të dialogut. Çështja nuk është nëse Kosova ka të drejtë ta vendosë tarifën, por nëse është vendim i mirë për Kosovën dhe Shtetet e Bashkuara”, deklaroi ambasadori amerikan.
Në një intervistë për mediat vendase, ambasadori përjashtoi mundësinë e sanksioneve ekonomike ndaj Kosovës, por shtoi se i takon qeverisë të vlerësojë nëse dëshiron ta ruajë miqësinë me Shtetet e Bashkuara. “Ajo që kërkojmë nga Kosova është që të ketë udhëheqje të guximshme për të marrë vendime. Nëse Kosova zhvillon politika që ia vështirësojnë ose ia bëjnë të pamundur ecjen përpara për të ndërtuar paqe, përparim dhe drejtësi në Ballkan, Shtetet e Bashkuara do të shqetësohen e zhgënjehen thellësisht”, shtoi Kosnett.
Ambasadori amerikan takoi të enjten krerët e institucioneve për të diskutuar lidhur më çështjen, ndërsa ata zhvilluan edhe një takim mes tyre mbrëmjen e së enjtes për tarifat ndaj mallrave serbe dhe procesin e bisedimeve me Serbinë.
Mospajtimet kanë vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e mëtejme të koalicionit qeverisës në vend.

Shkarkoni aplikacionin e A2