Kriza politike, Rama: Zgjedhjet më 30 qershor, krizat nuk na rritën

Një tjetër temë e prekur nga Kryeministri Rama dhe nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Federica Mogherini, në konferencën e përbashkët për mediat, ishte edhe kriza politike në vendin tonë.

Mogherini theksoi se ajo nuk ka ndërhyrë asnjëherë në rol negociues në çështje të brendshme dhe duket se krizën politike në Shqipëri e konsideron si të tillë dhe u shpreh se pret që zgjidhja të vijë nga brenda. Duke iu referuar vitit 2017, ajo mohoi të ketë luajtur në atë kohë një rol negociues, por tha se “ne përpiqemi të lehtësojmë dialogun mes palëve, por jo të dialogojmë”.

“Partitë politike nuk duhet t’u kthejnë shpinën rolit të tyre në proceset diplomatike dhe përgjegjësisë që kanë ndaj qytetarëve që i kanë votuar. Qytetarët nuk duhen privuar nga opsione të ndryshme politike për zgjedhjet e ardhshme vendore. Nuk kam bërë negociata në vitin 2017 dhe nuk e kam bërë kurrë këta as në vendet tjera, kjo nuk është qasja jonë”, tha Mogherini.

Ndërkohë, Edi Rama, duke iu referuar vitit 2017, tha se eksperienca tregoi se një marrëveshje si ajo e para dy viteve nuk solli mësime për klasën politike shqiptare dhe këtë herë ai tha se preferon të ndjekë Kushtetutën.

“Ka ardhur koha që ne t’i qëndrojmë sistemit dhe rrugës së përcaktuar nga Kushtetuta. Mesa duket se zgjidhjet për të kaluar një krizë nuk na kanë ndihmuar të rritemi më shpejt dhe të bëhemi më të fortë, si shoqëri dhe si politikë”, tha Rama.

Shkarkoni aplikacionin e A2