Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 100%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 0%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Kronologjia e një epidemie, plani i ri për emigracionin në Britani dhe zgjedhjet në SHBA

Nga A2 CNN
22 Shkurt 2020, 13:08 | Aktualitet
Kronologjia e një epidemie, plani i ri për emigracionin në

Vit i ri, epidemi e re. 2020-a e gjeti botën, përballë një krize të re shëndetësore. Skenari është i njohur; një virus misterioz shfaqet nga hiçi, nuk ka kurë dhe as vaksinë. Edhe origjina e virusit nuk është e pazakonte; si në rastin e epidemive të SARS apo mers, Kina me rreth 1.4 miliardë banorë u bë vatra e virusit të ri që në më pak se 2 muaj, i mori jetën mbi 2100 personave dhe infektoi rreth 75 mijë të tjerë. Ishte e parashikueshme përhapja e tij e shpejtë përmes qarkullimit ajror, ashtu si dëmet e mëdha ne ekonomi dhe impakti i madh social. Ajo që ndryshoi këtë herë, ishte mobilizimi… Bota, e mësuar më realitetin e ri të bashkëjetesës me pathogjenë gjithmonë e më të rrezikshëm, është me vigjilente dhe më e përgatitur për të reaguar.

Përpjekjet për krijimin e vaksinës ishin më të vrullshme se në çdo rast tjetër dhe mendohet se antidoti i atij që është pagëzuar si COVID-19 do të jetë gati më shpejt se çdo vaksinë tjetër e krijuar deri më tani. Megjithatë, sfidat politike dhe sociale janë të shumta, me karantinë masive, diskriminim, keqinformim, mungesë besimi ne qeveri dhe njollosje të mëtejshme të raporteve të tensionuara ndërkombëtare.

Nga rastet e para, tek alarmi global për virusin kinez

Në 31 dhjetor të vitit 2019-të, në mesin e festimeve për ndërrimin e viteve, Organizata Botërore e Shëndetësisë u njoftua nga autoritetet kineze mbi një numër rastesh të ngjashme me pneumoninë në qytetin e Wuhan, kryeqytet i rajonit të Hubeit. Një ditë më vonë, autoritetet kineze mbyllën tregun e peshkut dhe gjësë së gjallë të Hunanit, pasi u zbuluar se kafshët e egra që shiteshin atje mund të ishin burimi i virusit.

Autoritetet i druheshin një rikthim të sars, virusi që shkaktoi 774 vdekje në 2003-shin, por nuk vonoi shumë para se të konfirmohej se nuk bëhej fjalë për sars e as për mers. Në 7 janar të 2020-tës- Autoritetet kineze konfirmuan se e kishin identifikuar virusin si një koronavirus të ri, i emërtuar fillimisht 2019-nCoV nga OBSH. Vdekja e parë do të konfirmohej në 11 janar. Një 61-vjeçar i ekspozuar ndaj virusit tregun e peshkut, kishte ndërruar jetë si pasojë e një pneumonie të rëndë. Dy ditë më vonë, Tajlanda u bë shteti i parë që raportoi një rast me koronavirus, e ndjekur më pas nga Japonia.  Në 20 janar, Instituti kombëtar i shëndetësisë njoftoi se po punonte për një vaksinë kundër koronavirusit.

Autoritetet filluan izolimin gradual të Wuhanit, duke mbyllur përkohësisht aeroportin dhe stacionet hekurudhore, ndërsa bilanci i viktimave rritej çdo ditë. Pekini anuloi festimet për vitin e ri, në një përpjekje për të frenuar përhapjen e virusit. Në 30 janar, shtetet e bashkuara raportuan rastin e parë të transmetimit nga personi në person, të virusit kinez. Administrata e Donald Trump njoftoi se do t’i bllokonte hyrjen të gjithë shtetasve të huaj që kanë udhëtuar në kinë gjatë 14 ditëve të fundit. Autoritetet kineze e akuzuan SHBA-në për reagim të papërshtatshëm, dhe se po përhapte frikë.

Një ditë më vonë, OBSH do të shpallte emergjencën ndërkombëtare. Në 2 shkurt, një shtetas Filipinas vdiq nga koronavirusi, duke u bërë viktima e parë jashtë kinës kontinentale. Në 4 shkurt, ministria japoneze e Shëndetësisë njoftoi se 10 persona në bordin e anijes kroçere “Diamond Princes”, e ankoruar në portin e Jokahomas, ishin konfirmuar si të prekur nga virusi. Anija me 3700 persona në bord u vu nën karantinë. Ditë pas ditë u identifikuan qindra raste me koronavirus, numri më i lartë i të prekurve jashtë Kinës kontinentale. Në 7 shkurt, Li Ëenliang, një mjek 34-vjeçar nga Vuhani i vënë në shënjestër të policisë me pretendimin se po përhapte alarm të pabaza për virusin në muajin dhjetor, u nda nga jeta për shkak të epidemisë. Ngjarja shkaktoi zemërim publik, me qytetarët qe e vunë theksin te mungesa e lirisë së fjalës.

Nga sars, te koronavirus, epidemitë që prekën globin në 20 vitet e fundit

Në 20 vitet e fundit, bota është përballur me sëmundje dhe epidemi të ndryshme që kanë rezultuar shpeshherë vdekjeprurëse.

Në vitin 2002, disa vende të Azisë u prekën nga virusi sars, duke shkaktuar probleme të theksuara në sistemin respirator dhe për pasojë vdekjen e mbi 700 personave. Në 2009, globi u ndesh me gripin e derrit. Virusi H1N1 u përhap me shpejtësi në të gjithë botën, numri i viktimave mendohet të jetë nga 100 mijë deri në 500 mijë persona.

Radha i erdhi poliomielitit në 2014-ën, që preku të gjithë botën dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli gjendjen e emergjencës globale. Vetëm dy vite më pas, u shfaq virusi zika, duke shkaktuar një epidemi të përqendruar në dy Amerikat. Ndërkohë, kontinenti afrikan vuante pasojat e tmerrshme të virusit të ebolës.

Nga 2014, deri në 2019 kanë humbur jetën mbi 11 mijë persona nga 30 mijë të infektuar nga ebola. Në 2020, u shfaq një virus shumë misterioz në Kinë fillimisht. Koronavirusi, “Covid-19”, u ka marrë jetën mbi 2 mijë personave, kryesisht në Kinë, dhe autoritetet e Pekinit si dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, përveç përcaktimit si epidemi dhe shpalljes së emergjencës globale të shëndetësisë, duket se akoma nuk po arrijnë të frenojnë përhapjen dhe pasojat e rrezikshme.

Koronavirusi dhe ekonomia, eksperti Danaj: Kina u dëmtua, Shqipëria s’preket shumë

Koronavirusi nuk prek vetëm shëndetin njerëzor por edhe atë të bizneseve nëpër botë. Përveç se ekonomia e dytë më e madhe në botë, Kina është edhe fabrika që prodhon dhe shet shumë prej produkteve globale, nga iphone-t tek kondicionerët. Kështu, nëse ekonomia kineze është ne telashe, pasojat do të ndihen në të gjithë globin. Shqipëria duket te jete me pak e rrezikuar, mendon eksperti i çështjeve ekonomike, Violdi Danaj.

Gara demokrate për presidencën, Bloomberg në shënjestër të kritikave

Përballje e ashpër e kandidatëve demokratë për presidencën në qytetin e mëkateve, Las Vegas, por ai që e ndjeu më shumë zjarrin ishte i sapoardhuri në garë, Micheael Bloomberg. Ai është ish-kryebashkiak i Nju Jorkut dhe biznesmeni miliarder që po shpenzon miliona dollarë për ta prezantuar veten para publikut amerikan. Kjo e ka bërë atë si shënjestrën perfekte të Bernie Sanders dhe Elizabeth Warren.

Në debatin e 9 demokrat, fokusi ishte tek i sapoardhuri. Amy Klobuchar: E mirëprita kryebashkiakun Bloomberg në skenë. Mendoj se nuk duhet te fshihet pas reklamave televizive.

Rritja në sondazhe e Bloomberg po shkon paralelisht me rritje të kritikave.

Pete Buttigieg: Le të zgjedhim një kandidat që është vërtet demokrat. Nuk duhet të zgjedhim mes një kandati që do ta djegë partinë dhe një tjetri që do ta blejë atë.

Rivalët e kritikuan kryesisht për politikën ‘ndalo dhe kontrollo’ kur ishte kryebashkiak.

Joe Biden: Nuk bëri asgjë të mirë. Vendosi pas murit rreth 5 milionë të rinj me ngjyrë.

Për komentet e shkuara mbi gratë. Elizabeth Warren: Një miliarder që i quan gratë të shëndosha dhe lesbike me fytyrë kali. Nuk po flas për Trump, por për kryebashkiakun Bloomberg.

Pavarësisht personazhit të ri në skenë, senatori Bernie Sanders kërkonte një tjetër fitore në Nevada, për të ruajtur momentumin.

Bernie Sanders: Kemi mbështetjen e të gjitha sindikatave rreth vendit.

Debati konsiderohej si shumë i rëndësishëm edhe për ish-zëvendës presidentin Joe Biden. Pas performancës zhgënjyese në Ajoua dhe Nju Hempshër.

Plani i ri për emigracionin në Britani, sistem pikësh, punësohen më të aftët

Punonjësit pa shumë aftësi nuk do të sigurojnë dot viza në Britaninë e Madhe, sipas planeve për emigracionin, në periudhën e post – Brexit.

Qeveria, synon të reduktojë emigracionin në vend dhe kërkon një sistem me pikë, mbi bazë të secilit punonjësit e huaj që duan të vijnë në Britaninë e Madhe duhet të flasin anglisht, të kenë një oferte të mirë pune dhe gjithashtu një sponsor të aprovuar.

Ata do të vlerësohen me 50 pikë nëse i përmbushin këto kritere. Pikë të tjera do të shtohen për kualifikimet, paga e ofruar dhe punësimi në një sektor ku ka mungesa. Në total, emigrantët duhet të arrijnë 70 pikët që të punojnë në Britaninë e Madhe. Në skemën e re, qeveria i kërkon punëdhënësve të mos mbështeten më në punën e lirë nga Europa, dhe të investojnë tek stafi aktual dhe zhvillimi i teknologjisë të automatizimit. “Është e rëndësishme që punëdhënësit të mos e shohin më sistemin e emigracionit si një alternativë ndaj investimeve në staf, produktivitet dhe teknologji”.

Plani sugjeron se 3.2 milion qytetarët e Bashkimit Europian, të cilët kanë aplikuar për vazhdim të qëndrimit në Britaninë e Madhe, mund të ndihmojnë në mbushjen e mungesave në tregun e punës. Laburistët kritikojnë skemën e re, me pretendimin se ajo krijon një ambient armiqësor dhe vështirëson tërheqjen e punonjësve të rinj. Por Ministria e Brendshme, Priti Patel replikoi se sistemi i ri, nënkupton se vetëm më të mirët do të jenë në gjendje të vijnë në Britaninë e Madhe.

Ajo bëri gjithashtu të ditur se shtetasit e be dhe të tjerët jashtë Bashkimit Europian e që shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar do të trajtohen njësoj pasi lëvizja e lirë të marrë fund në 31 dhjetor. Që të implementohen, ndryshimet në sistemin e emigracionit duhet te miratohen nga parlamentaret. 

A2 CNN Livestream

Dita jonë