Kufijtë e BE-së dhe sezoni turistik, midis aspiratave dhe frikës

Europianët rifituan lëvizjen e lirë nga njëri shtet në tjetrin pas 3 muajve izolim të detyruar nga pandemia Covid-19. Synimi është të shpëtohet sezoni turistik veror por dhe të testohet rikthimi gradual në normalitet. Pas zbutjes së kontrolleve në kufijtë e brendshëm, njerëzit, që jetonin në 22 vendet anëtare të zonës Shengen dhe në Islandë, Liktenshtajn, Norvegji dhe Zvicër, morën frymë lirisht.
Në një cep të Europës ku Gjermania, Franca dhe Zvicra janë fqinj, zyrtarët lokalë u takuan duke shkëmbyer fjalë të ngrohta dhe buqeta me lule duke festuar në këtë mënyrë rikthimin e realitetit të vjetër. Ndërsa klientët “pushtuan” qendrën tregtare të një qyteze të vogël kufitare në Gjermani për shkak të çmimeve të lira.
Por kjo lëvizje e shtetasve europianë nga një vend në tjetrin shton rrezikun e një vale të re infektimesh, sipas asaj që paralajmërojnë ekspertët e shëndetësisë. Shifrat mbështesin këtë tezë. Në shumë vende është vënë re një rritje e konsiderueshme e rasteve të reja dhe e pacientëve që humbasin jetën për shkak të Covid-19. Kjo ka ndodhur nga pakujdesitë e shtuara të qytetarëve, që nuk respektojnë ruajtjen e distancimit fizik dhe masat higjieno-sanitare.
Ndërkohë, anketa të shumta kanë zbuluar se Europianët do të shikojnë më shumë destinacionet turistike të vendit ku jetojnë, një pjesë do të guxojnë dhe do të udhëtojnë jashtë, ndërsa pjesa e mbetur me shumë gjasë do të pushojnë në shtëpi.