Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Kufiri detar me Greqinë, Nesho: Situata e tanishme është kritike

Nga A2 CNN
27 Gusht 2020, 14:57 | Aktualitet
Kufiri detar me Greqinë, Nesho: Situata e tanishme është kritike

Pavarësisht situatës së pandemisë politika e gjithë rajonit duket se nuk ka pushuar këtë verë. Greqia ka rikujtuar pretendimet për ujërat territorial dhe procesin e delimitimit me Shqipërinë. Mali i Zi shkon në zgjedhje këtë të diel dhe faktori shqiptar është kthyer në temë përplasjesh edhe në politikën tonë të brendshme. Sa do të ndryshojnë balancat në rajon?

Për situatën në rajon e për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve foli në A2 ish-ambasadori i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, Agim Nesho.

Zgjedhjet në Malin e Zi

“Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme, sidomos për situatën politike që ka Mali i Zi për t’iu bashkuar Perëndimit, për arsye se opozita në këtë shtet ka shprehur tendenca pro serbe dhe në rastin e fundit po manipulohet nga tendencat e kishës që kërkon ta kthejë në një referendum popullor çështjen e pronësisë së kishës. Këto janë zgjedhje historike që konsolidojnë të ardhmen e Malit të Zi. Edhe faktori shqiptar, edhe pse i paktë në numër, ka një rëndësi shumë të madhe në këto zgjedhje.

Pavarësisht se Rama kërkon rolin e protagonistin, duke bërë një thirrje të hapur dhe të drejtë, e cila mbron interesat perëndimore të këtij shteti. Faktori shqiptar duhet të jetë në mbrojtje dhe në favor të elementit shqiptar në të gjitha hapësirat shqipfolëse në rajon dhe ne duhet të jemi në mbështetje të tyre. Në këtë rast është një element politik dhe ndërhyrja e Ramës me protagonizmin e tij për të treguar se është një faktor që drejton elementin shqiptar kudo në rajon. Por kjo nuk është e vërtetë. Unë mendoj se në shumë raste, Rama mund ta pengojë maksimizimin e votës së shqiptarëve me politikën e tij në shumë raste të gabuara në rajon”.

Rikthimi i debatit për çështjen e kufirit detar me Greqinë

“Kjo çështje ka marrë nuanca politike pas debatit të marrëveshjes së parë në kohën e qeverisë Berisha. Që nga ky moment mendoj se politika shqiptare ka qenë shumë e paqartë, është futur në negociata, por nuk ka pasur transparencë. Situata e tanishme është kritike sepse jemi para zgjedhjeve në SHBA, kemi një pikëpamje të ndryshme të Turqisë, e cila kërkon të zgjerohet, duke mos respektuar rregullat. Në të njëjtën kohë, veprimet e Greqisë në lidhje me kontratën që ka bërë me Egjiptin, kanë sjellë një rritje të tensionit”.

A2 CNN Livestream

Dita jonë