Kukësi vuan për ujë, banorët: Na vjen vetëm disa minuta dhe pa presion

Banorët e qytetit të Kukësit, veç temperaturave të larta po përballen këto ditë edhe me oraret mjaft të reduktuara të furnizimit me ujë nga rrjeti i ujësjellësit.
Madje banorët u shprehën se edhe ato pak minuta kur vjen uji nuk ka fare presion. Dhe si për ironi të fatit, kjo situatë ndodh pikërisht në një qytet që njihet për burimet e shumta ujore.
“Çfarë të bëjmë me 30 minuta ujë, nuk ngjitet uji fare në pallat, këtë vit e kemi pasur shumë problem”, thonë banoret e intervistuara.
Kjo situatë i ka rikthyer banorët e qytetit tek bidonat si dhe gjetjen e burimeve ujore përkryer nevojat e përditshme në banesat e tyre.
Thatësira e tejzgjatur shikohet si një nga shkaqet e kësaj situate të furnizimit me ujë në qytetin verior. Por edhe lidhjet e paligjshme, defektet në linjën e ujësjellësit si dhe mospagesa e faturave të ujit të pijshëm, shikohen si faktorë kryesorë në situatën e krijuar.
“Ka ndërhyrje dhe shpërdorime, ka fshatra qe nuk paguajnë fare dhe vetëm kërkojnë furnizim. Shpresojmë se investimi ri që do të behet, me vlerë 2 miliardë lekë të furnizojë jo vetëm qytetin e Kukësit por edhe fshatrat përreth”, thotë për A2 Asllan Hoxha, drejtori i Ujësjellës Kanalizimeve në Kukës.
Ndërkohë, gjatë aksionit të ndërmarrë nga task forca e ujësjellës kanalizimeve, janë prerë me qindra lidhje të jashtëligjshme.