Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Kurti viziton të plagosurit e aksidentit në Kroaci

Nga A2 CNN
26 Korrik 2021, 11:21 | Kosova
Kurti viziton të plagosurit e aksidentit në Kroaci

Ditë zie në Kosovë, në homazh të viktimave që humbën jetën në autobusin e aksidentuar të dielën në Kroaci.

10 qytetarë me origjinë nga Kosova humbën jetën, dhe mbi 40 të tjerë u plagosën kur autobusi me të cilin udhëtonin, doli nga rruga në qytetin kroat, Sllavonski Brod. Autobusi me 67 pasagjerë, përfshirë edhe fëmijë, po udhëtonte nga Frankfurti për në Prishtinë.

Në mesin e viktimave është një prej 2 shoferëve, ndërsa dy prej pasagjerëve të shtruar në spital, gjenden nën kujdes intensiv në Sllavonski Brod.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e shpalli të hënën ditë zie, ndërsa ndërpreu vizitën në Japoni për shkak të aksidentit. Sakaq, kryeministri Albin Kurti vizitoi mbrëmjen e së dielës, të plagosurit në qytetin kroat ku ndodhi tragjedia.

Të gjithë të mbijetuarit e aksidentit ndodhen ende në Kroaci. Mësohet se autoritetet e të dyja vendeve po punojnë për të mundësuar dërgimin në Kosovë, të qytetarëve në gjendje të mirë, dhe atyre me plagë të lehta.

 Shoferi i autobusit u arrestua të dielën, pasi u bë e ditur se e kishte zënë gjumi, ndërsa ishte në timon. Kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkovic, u shpreh i hidhëruar nga ngjarja dhe i përcolli ngushëllimet familjarëve të viktimave. Dhjetëra qytetarë ndezën qirinj të dielën mbrëma para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, në nderim të viktimave të aksidentit.

A2 CNN Livestream

Dita jonë