Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 100%
  • Zonat malore 0%
  • Qendrat historike 0%

Kush është Përparim Rama? Arkitekti 45-vjeçar që premton të transformojë Prishtinën

Nga A2 CNN
15 Nëntor 2021, 13:23 | Kosova
Kush është Përparim Rama? Arkitekti 45-vjeçar që

Është pa eksperiencë politike, por me një bagazh të gjatë arritjesh në fushën e arkitekturës, njeriu që do të drejtojë Prishtinën për 4 vitet e ardhshme.

I lindur në Prishtinë në vitin 1976, Përparim Rama ka një karriere 20-vjeçare si arkitekt e është marrë me projekte të ndryshme në një sëre vende të botës, si Angli, SHBA, Zvicër, Çeki e Shqipëri, para se të bëhej pjesë e garës për komunën e Prishtinës.

Në moshën 16-vjeçare u shpërngul në Britani të Madhe ku përfundoi edhe studimet për arkitekturë. Në vitin 2012, në Bienalen e Arkitekturës në Venecia, Rama përfaqësoi Kosovën për herë të parë në histori me veprën e quajtur “Punuesi i filigranit”. Në maj të vitit 2021, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku prezantoi Ramën si kandidatin e kësaj partie për të parin e Prishtinës.

Përparim Rama është i martuar dhe ka tre fëmijë. Ndër projektet kryesore të programit ka vendosur të ashtuquajturin "Ridefinimi i qendrës së qytetit". Ai ka premtuar një qytet ku prioritet do të ketë këmbësori, me më shumë hapësira të gjelbra dhe kalldrëm.

Rama ka premtuar gjithashtu të zgjidhë një herë e përgjithmonë problemin e parkimit, duke ndërtuar 6 vendparkime të mëdha rreth unazës së brendshme të Prishtinës. Pjesë e programit është gjithashtu zgjerimi i rrjetit të qendrave të mjekësisë familjare dhe rritja e nivelit të arsimit. 

A2 CNN Livestream

Dita jonë