Kush po abuzon me çmimet prej koronavirusit? Eksperti i bujqësisë: Kosova e ka zgjidhur shumë lehtë

Pandemia e koronavirusit që ka prekur edhe Shqipërinë ka nisur të japë efektet e para. Që prej fillimit të zbatimit të masave kufizuese që shërbejnë për parandalimin e përhapjes së Covid-19 në popullatë, është vërejtur një rritje e çmimeve të produkteve ushqimore, sidomos frutave dhe perimeve.

Sipas ekspertit për bujqësinë, Ervin Resuli, përtej abuzimit, është e pamundur të mbushim tregjet sot, duke qenë në një karantinë të tillë. “Fermerët e kanë të pamundur që në këtë një javë të lëvizin në drejtim të tregjeve apo pikave të grumbullimit. Kjo ka sjellë pakësimin e produktit në tregje dhe normalisht edhe abuzimin me çmimin”, tha ai, përmes një lidhjeje me Skype në A2 Business Week.