Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

Kushte "opozitare", Murrizi: Vota jonë, vetëm pas ndryshimit të sistemit

Nga A2 CNN
4 Korrik 2019, 17:28 | Politikë
Kushte "opozitare", Murrizi: Vota jonë, vetëm pas ndryshimit

Shkarkimi i Presidentit Meta, reforma në drejtësi dhe reforma zgjedhore kanë qenë kryefjala e 3 orëve debat në Parlament. Mazhoranca nuk negocion reformën në drejtësi dhe ka një përgjigje për Kreun e Shtetit. Ndërsa opozitarët në parlament kushtëzojnë çdo votë edhe për shkarkimin e Metës, me ndryshimin e sistemit zgjedhor. 

Në radhët e opozitarëve në parlament, flitet për kushte ndaj shumicës. Socialistëve do t’i duhet të mbledhin 94 vota, mes tyre, minimalisht 15 nga opozitarët e rinj për shkarkimin e Metës.

“Edhe për ligjet e reformës në drejtësi, edhe për të shpallur shokun Mehmet, armik e për t’ia vënë prangat atje te salla e Komitetit Qendror, vetëm me ndryshimin e sistemit zgjedhor. Halli që keni me presidentin e Republikës të nderuar kolegë të mazhorancës është hall i përbashkët i 5-6 që do të jenë ortakë dhe banorë të burgut të Reçit apo Peqinit. Inshallah si Pablo Eskobar me lekët e vjedhura të ndërtojnë një burg të mirë për vete dhe ta gëzojnë”, deklaroi në Kuvend deputeti Murrizi.

Ralf Gjoni, nga grupi i të pavarurve shkoi edhe një hap më larg. Kërkoi largimin e Damian Gjiknurit nga bashkëdrejtimi i reformës zgjedhore. Socialisti propozoi me ironi një formulë zgjidhje për krizën, njësoj si Ilir Meta.

“Kërkojmë shkarkimin e zotit Damian Gjiknuri nga bashkëkryetar i këtij komisioni. Nuk shkon moralisht që bashkryetari i këtij komisioni të jetë një person, emri i të cilit është lakuar nëpër përgjimet”, u shpreh Ralf Gjoni.

Por Gjiknuri tha: “nëse vjen Partia Demokratike në komisionin e reformës zgjedhore ne e kemi thënë që dialogu nuk bëhet fjalë vetëm për ju, por është dhe për opozitën jashtë parlamentare, për atë të rrini si Çeçua sepse do të jetë ajo. Kur të vijnë ata patjetër nga Rama Ik, Damiani Ik unë ofrohem si presidenti për vetëzgjidhje. Mos kini merak fare”

Për kryetarin e grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, Presidenti është pjesë e një grupi që kërkon të pengojë reformën në drejtësi, dhe për këtë do marrë përgjigjen që meriton.

“E jo ta shndërrojë Presidencën në një seli të asaj që ka mbetur nga opozita pas 30 qershorit. Nuk kemi më kohë për të bërë dëngla me përbërjen e komisionit por për të bërë punë për reformën në drejtësi pasi ajo nuk negociohet më, por vetëm zbatohet”, deklaroi kreu i grupit të PS, Balla.

Edhe pse e rrëzoi me 85 vota pro, dekretin e Presidentit Meta që kthente ligjin për përmbarimin gjyqësor privat, mazhoranca duket se nuk e kishte forcën e numrit 94, mjaftueshëm sa për shkarkimin e Presidentit që do t’i duhen në javët në vijim.

A2 CNN Livestream

Dita jonë