Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Kushtetuesja. Çfarë ndodh me betimin e anëtareve të reja?

Nga A2 CNN
12 Nëntor 2019, 20:29 | Politikë
Kushtetuesja. Çfarë ndodh me betimin e anëtareve të reja?

Presidenti Meta nuk do ta bllokojë betimin dhe marrjen e detyrës së dy anëtareve të reja të Gjykatës Kushtetuese të zgjedhura nga Kuvendi.

Fiona Papajorgji dhe Elsa Toska do të mund të thirren nga Kreu i Shtetit sapo Kuvendi t’i përcjellë vendimet e zbardhura të votimit në seancë plenare. Këtë gjë e konfirmojnë për A2 burime zyrtare nga Presidenca. Por nuk do të ketë të njëjtin fat Arta Vorpsi.

Pas pezullimit të procesit nga Presidenti Meta, ajo u shpall fituese nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi në bazë të pikëzimit më të lartë që e renditën atë të parën mes kandidatëve.

Kreu i Shtetit nuk e njeh këtë procedurë të KED-së duke e cilësuar ende vakant pozicionin e zënë nga Arta Vorpsi. Meta ka njoftuar se do të shprehet për anëtarin që duhet të përzgjedhë pas kthimit nga Parisi.  

A2 kontaktoi kryetarin e KED-së, Ardian Dvorani për të sqaruar kur dhe ku duhet të betohet Arta Vorpsi për të marrë detyrën si anëtare e Kushtetueses?  Por ai preferoi të mos komentonte.

Në vështirësi për ta interpretuar juridikisht janë dhe deputetët,

“Unë besoj se Kushtetuta nuk është ndërtuar me “nëse” dhe drejtojani pyetjen Presidenti. Por Presidenti i njeh detyrimet e tij përballë Kushtetutës dhe jam i bindur që do t’i zbatojë një më një”, u shpreh deputeti socialist, Alket Hyseni.

Ndërsa deputeti Andi Përmeti tha: “Nuk besoj se Presidenti i Shqipërisë do të marrë mbi vete koston dhe të dalë kundër ndërkombëtarëve.”

Për juristin Jordan Daci, Presidenti nuk mund të anashkalohet. Por debate, sipas tij, për zonjën Vorpsi është më i thellë se aq. “Është ndër të vetmet që për mendimin tim e meriton apriori të jetë. Dhe më vjen shumë keq që emërimi apo kandidimi i saj më saktë ka vajtur në këtë mënyrë. Në gjykimin tim, nga pikëpamja proceduriale nuk mund të jetë”, u shpreh Daci.

Në pritje të lëvizjes nga Presidenti, mazhoranca ka shfletuar raste të ngjashme në Poloni dhe Ukrainë, për të cilat është kërkuar opinioni i Komisionit të Venecias. Në njërin rast betimi është konsideruar formal, ndërsa në rastin tjetër, anëtari e ka bërë betimin para Gjykatës Kushtetuese. 

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani