Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

Kushtetuesja mbyll gjykimin për zgjedhjet vendore 2019, paditësit: Injoroni “Venecian”

Nga A2 CNN
2 Nëntor 2021, 16:03 | Politikë
Kushtetuesja mbyll gjykimin për zgjedhjet vendore 2019, paditësit:

Katër muaj kohë, dy seanca gjyqësore dhe një opinion i Komisionit të Venecias, këto ishin hallkat proceduriale që iu nevojitën Gjykatës Kushtetuese për të mbyllur shqyrtimin e padisë për ligjshmërinë e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019.

Që në hapje të seancës, kryetarja Vitore Tusha njohu palët gjyqësore mbi opinionin e ekspertëve ndërkombëtarë, ku përveçse theksohet tejkalimi i kompetencave nga Presidenti Meta në anulimin e zgjedhjeve, i thuhet gjithashtu hapur Gjykatës Kushtetuese se nuk është në kompetencën e saj të shprehet nëse një proces zgjedhor është i vlefshëm apo jo. Përfaqësuesi ligjor i Shoqatës së Bashkive, si palë paditëse, kërkoi nga shtatë gjyqtarët injorimin e opinionit të Komisionit të Venecias, të cilin e quajti të hartuar për të ruajtur balancat politike.

Një qasje krejt tjetër kishte përfaqësuesja e qeverisë e cila, njësoj si opinion i Venecias, kishte ngulur këmbë që në fillim se vlerësimi i një procesi elektoral nuk është detyrë e një Gjykate Kushtetuese.

“Është një qëndrim që me kënaqësi e vumë re në rreshtat e opinionit të Komisioni të Venecias, sepse nuk është një opinion i bazuar në qëndrime politike siç u përmend këtu. Gjykatat Kushtetuese nuk vlerësojnë administrimin e proceseve zgjedhore, aq më shumë kur janë vendore. Kjo kërkesë duhet të rrëzohet dhe nuk duhet të pranohet”, deklaroi Elira Kokona.

Komisioni i Venecias në opinionin e tij kishte hedhur poshtë edhe vendimet e Presidentit Ilir Meta për të shtyrë zgjedhjet në mungesë të një baze ligjore. Kjo për Presidencës nuk është e mjaftueshme për t’u tërhequr nga padia.

“Presidenti përsërit se mbështet kërkesën e shoqatës së bashkive. Kërkesat janë të drejta dhe çmojmë se duhet të shqyrtohet nga Gjykata dhe të pranohet. Objekt nuk është dekreti i presidentit, dhe as veprimtaria kushtetuese, por në thelb është anti-kushtetutshmëria e zgjedhjeve vendore. Kuvendi dhe qeveria e kanë humbur mundësinë për të ankimuar dekretin në Gjykatën Kushtetuese”, deklaroi Ketrin Treska.

Vendimi i trupës kushtetuese mund të nxisë Presidentin e Republikës të dekretojë zgjedhjet paraprake vendore, qoftë edhe pjesërisht në 6 bashkitë pa kryetar. Por nëse Gjykata nuk shprehet mbi vlefshmërinë e votës së 30 qershorit 2019, Ilir Meta mund të vijojë të injorojë atë datë në kalendarin politik.

A2 CNN Livestream

Dita jonë