Me banesa të dëmtuara, pa bonus qiraje dhe pa asnjë përgjigje nga autoritetet nëse apartamentet e tyre janë të riparueshme ose jo, banorë të lagjes 13 në Durrës kanë protestuar dy muaj pas tërmetit të 26 nëntorit për lënien e tyre në harresë totale.
“Vetëm një herë kanë ardhur dhe kanë parë. Tashmë askush nuk e di se çfarë ndodh në këtë lagje. Pallatet janë copa copa, por këtu nuk ka as polici, as kujdestari dhe asgjë. Erdhi një grup francezësh dhe e pa pallatin para dy muajsh dhe na thanë që do vijnë dhe të tjerë, por ata nuk erdhën kurrë”, tregojnë disa nga banorët.
Madje disa prej banorëve janë detyruar të futen në banesa të pariparuara dhe të pacertifikuara nëse janë të sigurta apo jo.
“Jemi prapë tek shtëpitë e prishura pasi nuk kemi marrë lekët e bonusit të qirasë. Vajtëm dy muaj që nuk kemi marrë asnjë lek. Jam kthyer sërish tek shtëpia e prishur dhe atje fle”, shprehet një tjetër.
Banorët kërkojnë sa me shpejt grupet e vlerësimit të vendosin mbi fatin e apartamenteve te tyre dhe të merren masa për riparimin apo dëmshpërblimin e tyre.