Largimi i Dvoranit nga Gjykata e Lartë, KLGJ kërkon opinion nga USAID dhe EURALIUS

Këshilli i Lartë Gjyqësor do të kërkojë opinion nga misionet e SHBA dhe BE që ndihmojnë drejtësinë në vend lidhur me çështjen “Dvorani”.
Për këtë shkak, në mbledhjen e së martës, e zhvilluar online, nuk pati asnjë vendim lidhur me qëndrimin ose jo në detyrë të anëtarit të Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani.
Propozimi për të marrë mendim nga USAID dhe EURALIUS u bë nga anëtari Erion Muharremaj.
“Propozimi im kishte të bënte me pikën 5 të nenin 136 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, konkretisht ajo që thotë se ‘Gjyqtari i Gjykatës së Lartë qëndron në detyrë deri në emërimin e pasardhësit’, që do të thotë: A konsiderohet i emëruar pasardhësi në rastin konkret me emërimet që janë bërë në Gjykatën e Lartë?” deklaroi Muharremi.
Në të njëjtën mbledhje Këshilli vendosi t’i verë në dispozicion gjyqtarit Dvorani gjithë relacionet e KLGJ për hapjen e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë, korrespondencën me Presidentin e Republikës dhe dekretimin e tre anëtarëve të rinj.
Ardian Dvorani është emëruar në Gjykatën e Lartë në vitin 2005, nga radhët e juristëve të spikatur, në pozicionet e anëtarëve jogjyqtarë. Mandati kushtetues i tij ka përfunduar në vitin 2014. Ai vijon të jetë në detyrë gati 7 vjet përtej mandatit, me argumentin ligjor se po pret emërimin e pasardhësit.
Më 15 prill Presidenti i Republikës përcolli një shkresë në KLGJ, ku pretendonte se Dvorani duhet të dorëzonte detyrën e gjyqtarit të Lartë dhe atë të kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Sipas kreut të Shtetit, emërimi në detyrë i tre anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë në muajin mars nga radhët e juristëve të spikatur, Sokol Sadushi, Ervin Pupe dhe Ilir Panda, përbënin shkak ligjor për largimin e Dvoranit.
Nga ana e tij, në qëndrimin e paraqitur në KLGJ, Dvorani e konsideroi letrën e Presidentit ndërhyrje në pushtetin gjyqësor, tejkalim kompetencash dhe po ashtu mungesë kompetence nga KLGJ për shqyrtimin e saj. Më tej Dvorani theksonte se vakancat në gjykatën e Lartë shpallen për pozicionet dhe jo me emra nominalë.
Sipas ligjeve në fuqi, në Gjykatën e Lartë duhet të jenë 4 anëtarë që vijnë nga radhët e juristëve të spikatur. Ndërsa tre të tillë janë emëruar, i vetmi vend në pritje është ai i lënë bosh nga ish-kryetari Xhezair Zaganjori, i shkarkuar nga vetingu.
Debati që ka mbërthyer palët është në faktin në se konsiderohet një nga tre anëtarët e rinj si pasardhës i Dvoranit. Pas vendimmarrjes së të martës, KLGJ do të presë mendimin e ndërkombëtarëve për të vijuar shqyrtimin e pretendimeve të Presidentit të Republikës.