“Laura” gjunjëzon Luizianën, uragani shkakton viktima dhe përmbytje në SHBA

Të paktën 6 persona kanë humbur jetën nga uragani “Laura” që preku rëndë shtetin amerikan të Luizianës. Shkaqet ishin të ndryshme si rrëzimi i pemëve, mbytja dhe helmimi nga gjeneratorët. Erërat deri në 240 kilometra në orë shkaktuan dëme të mëdha, me ndërprerjen e energjisë elektrike që la në errësirë më shumë se gjysmë milioni shtëpi dhe me një zjarr në një fabrikë kimikatesh në një impiant industrial.

Por e keqja më e madhe e stuhisë së frikshme u shmang, teksa uragani, më i madhi që ka prekur këtë shtet, u drejtua nga lindja.

“Para se të gjithash, është e qartë se nuk u përballëm dhe nuk pësuam dëmtimet katastrofike që menduam dhe parashikuam një natë më parë. Por gjithsesi kemi hasur dëme shumë të mëdha. Kemi mijëra e mijëra qytetarë, jeta e të cilëve është përmbysur me dëmet në biznese dhe banesa. Gjithashtu kemi shumë probleme me një sërë shërbimesh si energjia elektrike dhe uji i pijshëm”, deklaroi John Bel Edwards, guvernatori i Luizianës.

Uragani “Laura”, që preku edhe shtetin e Teksasit, tani është dobësuar dhe po cilësohet si stuhi tropikale. Aktualisht ka kaluar në Arkansas. Qendra amerikane për uraganët bëri me dije se erërat arrijnë një maksimum prej 65 kilometrash në orë, por po sjell reshje të mëdha shiu që po shkaktojnë përmbytje të shumta.

Ndërkohë, presidenti Donald Trump është informuar lidhur me situatën nga Agjencia Federale për Menaxhimin e Emergjencave dhe njoftoi se do të vizitojë zonën gjatë fundjavës. Më herët “Laura” dhe stuhia tjetër, “Marco”, kaluan në Karaibe duke vrarë 24 persona.