Legalizimi i kanabisit, toksikologu: Ka disa veti, nuk është bimë çudibërëse, por duhet depenalizuar

Qeveria shqiptare po bën gati draft-raportin për legalizimin e përdorimit dhe kultivimit të kanabisit për arsyeje mjekësore. Por çfarë thonë ekspertët në këtë fushë? Mjeku toksikolog Zini Sulaj, i intervistuar nga A2, thotë se nga pikëpamja teknike, edhe pse është provuar që marijuana ka efekt në disa sëmundje dhe çrregullime të organizmit, sërish nuk mund të idealizohet si një bimë çudibërëse.
“Duhet thënë se ajo nuk ka qenë as panacea dhe as shpëtimi i njerëzve që kërkojnë këtë terapi, sepse ka qindra preparate alternative të efektshme”, thotë mjeku.
Mjeku shpjegon se bima vlerësohet për disa raste, si për efektet e kancerit, sëmundje si anoreksia, depresioni dhe disa neuropati, por që edhe për këto probleme ka mjekime të ndryshme. “Është preparat alternativ, i dëshirueshëm, efektiv për disa individë, por jo për masën e gjerë që mund të kurohet”, shton ai.
Mjeku ndan çështjen mjekësore nga atë ekonomike. “Ne kuptimin ekonomik, edhe për efektet e COVID-19, një ekonomi globale në rënie mund të gjej burime alternative edhe tek kanabisi, një treg që globalisht vlen 128 miliardë dollarë”.
Por edhe në atë pikë, ka probleme teknike. “Ndoshta Qeveria e ka parashikuar, por kujt do t’i shesim kanabisin, se gjithë vendet përreth po e kultivojnë, dhe ne nuk kemi pacientë mjaftueshëm që ta përdorin. Edhe kultivimi ka problemet e veta, sepse bimët duhet të kenë një përqendrim kanabinoidi të caktuar”.
Për doktor Sulajn, rëndësi ka që “të depenalizohet përdorimi i kanabisit, dhe që nga resurset financiare t’i kushtohet vëmendje ndihmës për personat që kanë varësi nga lëndët narkotike, që deri më tani janë “sporadike, dhe të parashikuara në letër, në një vend ku ende kjo varësi nuk gjykohet si sëmundje por si problem individual”.