Lehtësitë fiskale, eksperti shpjegon sa kursejnë sportistët dhe sponsorët

Lehtësitë e parashikuara për sportin në paketën fiskale 2020 do të ndihen si në xhepin e atletëve, ashtu edhe në bilancet e sponsorëve. Eksperti kontabël Sotiraq Dhamo shpjegon se sa do të kursejnë sportistët kur përfitojnë premio nga shteti.
“Në qoftë se shteti i jep sportistit 100 mijë lek, lekët do t’ i shkojnë drejtpërdrejtë në xhep . Deri më tani, me të njëjtën shumë, sportisti merrte 85 mijë lekë, pjesa tjetër mbahej në formën e tatimit, Pra Shteti heq dorë nga 15% i shpërblimit, që jepet nga buxheti i shtetit”, sqaron Dhamo.
Për sponsorët e ekipeve sportive, paketa parashikon rritjen e shumës që shteti njeh si shpenzim të zbritshëm nga fitimi. Por si përkthehet kjo në favor të biznesit?
“Në qoftë se biznesi ka një fitim 100 milionë, shteti i thotë se të njihet si tatim i zbritshëm jo më 3%, por 9%, pra 1 milion e 350 mijë lekë që është 15% i tatim fitimit nuk e paguan sponsorizuesi, pra në qoftë se jepen 3 milionë sponsorizim, kosto reale llogaritet me 1 milionë e 350 mijë më pak, që ai nuk i paguan realisht”, vijon eksperti kontabël.
Sipas ekspertit, më të fituarit nga këto ndryshime janë kompanitë që mbështesin aktualisht sportin, por lehtësitë e bëjnë sponsorizimin tërheqës edhe për kompanitë e tjera të mëdha.

Shkarkoni aplikacionin e A2