Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 0%

Lela: Reforma Zgjedhore, armëpushim. Do të shohim beteja të reja për të njëjtat çështje

Nga A2 CNN
22 Qershor 2020, 14:18 | Politikë
Lela: Reforma Zgjedhore, armëpushim. Do të shohim beteja të reja

Alfred Lela, drejtues i portalit politiko.al dhe analist, ishte i ftuar në studion e “Ditarit” në A2 për të dekoduar ngjarjet e politikës së ditëve të fundit.

Kur u pyet mbi intervistën e ambasadores amerikane, Yuri Kim, për ekranin e A2, Lela u shpreh: “Ambasadorja amerikane ritheksoi mesazhet e mëparshme, por kryemesazhi ishte që ne jemi këtu për t’i rezistuar stërkëmbëshave dhe për të çuar përpara Reformën në Drejtësi, por duke i shtuar edhe aneksin e Reformës Zgjedhore, që është në proces. Edhe pse duket se ka patur përmbyllje të Reformës Zgjedhore, ajo është ende në proces sepse ka disa parehati në sistem që vijnë nga opozita në Parlament. Kjo gjë kuptohet edhe nga flirtimi i kryeministrit me këtë opozitë”, tha Lela.

Sipas tij, 15 kushtet për hapjen e negociatave ekzistojnë, pavarësisht deklaratave të kryeministrit Edi Rama: “15 kushtet ekzistojnë, pavarësisht se çfarë thotë Edi Rama. Në një tango me dy apo më shumë partnerë, siç janë negociatat, nuk mund të zhbëhen kushtet. Edhe Reforma Zgjedhore është pjesë e 15 kushteve”.

Lela theksoi gjithashtu se Reforma Zgjedhore nuk e ka zgjidhur ngërçin politik: “Është një armëpushim, por nuk është fundi i betejave. Me siguri do të shohim beteja të reja për të njëjtat çështje, të ripaketuara ndryshe”.

Gjithashtu, ai shtoi se kjo reformë “nuk mund të jetë perfekte pasi nisi nga këneta e sistemit politiko-gjyqësor e Shqipërisë sonë”.

Kur u pyet në lidhje me opinionin e Komisionit të Venecias për vakancat në Gjykatën Kushtetuese, Lela nënvizoi: “Venecia i dha të drejtë Presidentit dhe duke i dhënë të drejtë atij, zbuloi qëllime politike për akses politik në hierarkinë e gjyqësorit të ri. Kjo tregon që për imperfeksionet është e investuar mazhoranca, që ka fuqinë për t’i shkaktuar këto imperfeksione për interesat e veta. Presidenti doli i legjitimuar nga një proces deligjitimimi të nisur nga mazhoranca kundër tij”.

Përsa i përket opinionit të Venecias për ligjin antishpifje, Lela theksoi: “Është një tjetër kështjellë rëre e ngritur me zhurmë nga mazhoranca, që ka rënë”.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani