Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Libër me ilustrime, historia e trishtë e Sabiha Kasimatit rrëfyer për nxënësit

Nga A2 CNN
17 Shkurt 2020, 17:22 | Kulturë
Libër me ilustrime, historia e trishtë e Sabiha Kasimatit rrëfyer

Ajo ishte gjithnjë kundër rrymës. Kështu e konsideronte pushteti i asaj kohe. Sabiha Kasimati, vajza shqiptare që u bë një ndër shkencëtaret më të zonja, sot një mendimtare e lirë, u pushkatua në shkurt të vitit 1951 me urdhër të Enver Hoxhës, diktatorit që kishte frikë nga intelektualët.

U akuzua bashkë me të tjerë se kishte vendosur një bombë në ambasadën sovjetike dhe u dënua me vdekje, pa gjyq, nga ish shoku i saj i klasës. Një histori kjo e rrëfyer nga studiues, historianë e shkrimtarë, prezantohet sot ndryshe. Për brezin e ri, për të vegjlit që tërhiqen nga vizatimet plot ngjyra.

“Historia tregohet nga një peshk. Sabiha Kasimati është një mike e peshqve dhe e lirisë. Ndaj vendosëm që ta sillnim këtë histori për të vegjlit të rrëfyer nga peshq. Fillimisht vizitova vendet ku kishte kaluar Kasimati, muzetë dhe po ashtu edhe peshqit. Në fillim vizatoja me laps e më pas punoja në kompjuter për t’i shtuar në fund edhe ngjyrat. Kam punuar shumë me fotografitë që na ofruan familjarët dhe me vendet që kanë shënjuar jetën e Sabiha Kasimatit”, deklaroi ilustruesja e librit, Linaita Gaki.

Historia e treguar për fëmijë është bazuar në tregimin e shkruar nga Agron Tufa, por e treguar këtë herë nga Vytene Muschick.

Në ditët e kujtesës, Instituti i Studimit të Krimeve të Komunizmit bën thirrje që ky libër të mos mbetet këtu në duart e dashamirësve që dënojnë këto akte të së shkuarës, por të shkojë edhe te nxënësit e shkollave shqiptare, për të cilët është realizuar ky botim.

“Më ka habitur aftësia e autorëve për ta sjellë një histori serioze dhe tragjike në një libër për fëmijë“, u shpreh Çelo Hoxha nga Instituti i Studimit të Krimeve të Komunizmit.

Ky është ndër të paktat vepra shqiptare që vjen në versionin e “fummetit” apo siç mund ta quajmë ndryshe një libër me ilustrime, ku figura rrëfen po aq sa fjala.

A2 CNN Livestream

Dita jonë