Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Liberalizimi i vizave, Kosova skeptike për presidencën sllovene të BE

Nga A2 CNN
12 Qershor 2021, 14:13 | Kosova
Liberalizimi i vizave, Kosova skeptike për presidencën sllovene

Presidenca e Bashkimit Europian në gjashtë mujorin e dytë do të udhëhiqet nga Sllovenia. Pavarësisht se është shtet mik i Kosovës, nuk pritet ndonjë përparim në procesin e liberalizimit të vizave, njohjes së pesë shteteve anëtare të BE-së dhe dialogut. Skepticizëm ka edhe nga raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian.

“Kam menduar se Sllovenia do të ishte ndërmjetësues i mirë për rajonin. Kam shpresuar se Sllovenia do të bëjë presion për liberalizimin e vizave për Kosovën. Kam shpresuar se ata do të bënin presion për rrugën e integrimit evropian për të gjitha vendet, por pas zhvillimeve të brendshme së fundmi në Slloveni, nuk jam e sigurt nëse ata do të jenë lobues të vërtetë për rajonin, nëse do të jetë në agjendën sllovene ajo çfarë është e nevojshme për vendet e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht për Kosovën.”, u shpreh Viola Von-Cramon, raportuese për Kosovën në Parlamentin Europian.

Skeptik është dhe anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Nuk mund të them se mund të ndodhin, as liberalizimi, as marrëveshja (finale me Serbinë) në gjashtë mujorin e këtij viti. Ndoshta po të ishte në dorën e Sllovenisë edhe mund të ndodhte, por BE funksionon në mënyrën si funksionon. Ne kemi vende skeptike rreth liberalizimit të vizave, madje vende të fuqishme evropiane.”, tha Muhamet Hamiti i LDK.

Shoqëria civile kërkon që të shfrytëzohet momenti pozitiv.

“Sa përket Kosovës konkretisht, nuk pres ndonjë zhvillim të ndjeshëm, qoftë për liberalizim të vizave, qoftë për njohjen nga pesë vendet anëtare. Por Kosova duhet të shfrytëzoj këtë momentum pozitiv të presidencës sllovene që të bëjë progres në dy shtigje. Shtegu i parë është dialogu Kosovë-Serbi dhe shtegu i dytë është që të bëjë progres në kuadër të sundimit të ligjit.”, u shpreh Demush Shasha nga Instituti Epik.

Sllovenia merr zyrtarisht presidencën e Bashkimit Europian më 1 korrik.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani