“Çfarë jeni këtu, jeni koloriti i librit që kam shkruar”, deklaron Topi, i rrethuar nga personazhe të politikës dhe kulturës shqiptare, në oborrin e shtëpisë së tij.
Gjashtë vjet pasi u largua nga selia e Presidencës, Bamir Topi vendosi të shkruaj një libër. Quhet “Nocturn-Kur arsyeja errësohet nga pushteti”. Përveç jetës personale, ish presidenti tregon edhe prapaskenat e disa prej ngjarjeve më të forta që kanë shoqëruar presidencën e tij.
“Nga një anë padyshim njeriu trazohet nga këto ngjarje, por kam qenë me fat që kam shoqëruar anëtarësimin në NATO dhe pavarësinë e Kosovës”, nënvizoi Topi.
Pavarësisht marrëdhënieve të vështira me një pjesë të politikës, Bamir Topi tregon se ai nuk ka armiq.
“Dikush është mik, dikush kundërshtar, dikush edhe armik, edhe pse nuk konsideroj asnjë të tille. Por unë nuk i konsideroj gjerat post mortem, preferoj të bëj profilaksi, sepse me atë mund të fitosh betejën morale”, shtoi ish presidenti.
Nga 21 janari te Gërdeci për të kaluar te ndryshimet kushtetuese të marrëveshjes Rama-Berisha, Bamir Topi thotë se ka plot gjëra që ende nuk dihen.
“Unë i kam thënë gjërat në kohë. Në libër janë thënë mjaft gjëra që kanë qenë në prapaskenë”, deklaron.
Por kapitulli më interesant, sipas tij, s’ka të bëj me politikën. “Kapitulli më interesant? Debati i madh për Tiranën”, përfundon.