Ligji për të huajt, Xhafaj: Sektorët ku kemi nevojë për punonjës nga jashtë

Kuvendi vulosi me votë ndryshimet në ligjin për të huajt, duke e bërë më të lehtë mundësinë e tyre për të punuar në Shqipëri.
Procesi i vështirë i aplikimit, mungesa e ambasadave në disa shtete dhe marrja e lejes së punës ishin bërë pengesë e të huajve që duan të punojnë në Shqipëri.
Zëvendësministri i Jashtëm Etjen Xhafaj shpjegon për A2 ndryshimet që i përgjigjen këtyre pengesave.
“Kemi një liberalizim i gjithë sistemit të vizave, duke vendosur themelet për sistemin e “e-vizës”. Dokumentet paraqiten online dhe më pas ka një vlerësim të përbashkët me ministrinë e brendshme dhe shërbimin informativ për të thjeshtuar dhe mundësuar një lehtësim për qytetarët e atyre vendeve që nuk mbulohen nga ambasadat shqiptare, dhe për lehtësimin e lejeve të punës sipas kërkesave të punëmarrësve dhe punëdhënësve”, deklaroi Xhafaj.
Një arsye tjetër e këtyre ndryshimeve, është edhe mbushja e zbrazëtisë së punonjësve të kualifikuar në teknologji. Ndërkohë, janë dy sektorë të ekonomisë që kanë mungesë të krahut të punës në Shqipëri. “Në manifakturë kemi kërkesa, mbi 10 mijë vende që janë aktualisht bosh, më pas është industria e peshkimit, dy sektorë që po rriten me vlera të kënaqshme”, shpjegoi për A2 zëvendësministri.
Nga këto ndryshime pritet të përfitojnë edhe qytetarë të huaj që duan të bëhen pjesë e programit për rindërtim të Qeverisë, pas tërmetit të 26 nëntorit.
Zëvendësministri Xhafaj nënvizoi se përtej mbështetjes së punësimit të të huajve, ligji siguron mekanizmat për të mbrojtur edhe punësimin e qytetarëve vendas.