Liria e medias në Shqipëri, Borchardt: Vetërregullimi, opsioni më i mirë

Raporti i fundit për lirinë e medias, që e pa të përkeqësuar situatën e saj në Shqipëri, nuk duket se erdhi si surprizë për ambasadorin e OSBE-së.
Në një intervistë për A2CNN, Bernd Borchardt tregon disa arsye për këtë, ku të parën rendit paketën antishpifje të Qeverisë.
Në pritje të një përgjigje nga Komisioni i Venecias, ai lë të kuptohet nevojën për një reflektim nga Parlamenti, duke nënvizuar qartë shqetësimin e tij.
“Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias ka pasur diskutime të gjata me shumicën në Parlament për këto çështje dhe kjo ka çuar në përmirësime të gjera të projektligjit, por ende nuk ka asgjë që të garantojë, për shembull, proporcionalitetin. Ne e kemi mbështetur gjithmonë vetërregullimin e medias, e kemi nxitur atë përgjatë shumë viteve, dhe sigurisht vetërregullimi është opsioni më i mirë”, tha Borchard.
Përveç kushteve social-ekonomike të gazetarëve dhe fenomenit të kasetave të regjistruara që i shpërndahen medias, kreu i Prezencës së OSBE në Tiranë, ngre edhe një tjetër problem shpesh të shmangur në debatet për lirinë e medias.
“Në përputhje me politikën tonë për të nxitur pluralizmin mediatik dhe në përputhje me raportet e ODIHR-it për zgjedhjet, në veçanti raportin e fundit dhe atë të vitit 2017, ne gjithashtu presim të diskutojmë në lidhje me përqendrimin e pronësisë së mediave në vend dhe çfarë duhet të bëhet për të balancuar situatën”, shton gjermani.