Lleshaj-Maliqi, interpelanca me akuza personale mes ministrit e deputetit

Interpelanca mes ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj dhe deputetit të opozitës Lefter Maliqi u bë personale, kur Lleshaj i rikujtoi të shkuarën si efektiv policie.
“Meqë më përmende Rrëshenin, e njeh mirë ti se ke shërbyer ca kohë atje, të pa lavdishme, shpresoj mos të dalin ato histori se do t’iu pengonin të dilnit në foltore, po të jenë ashtu siç i di unë. Por mund të fitoni një vetting falas si ish- punonjës i policisë”, ishin fjalët e ministrit.
Por përgjigja e Maliqit nuk mungoi. “Jam larguar dy herë nga policia, një herë pasi kam denoncuar një drejtor të lidhur më krimin që u dënua më pas, dhe një herë tjetër në 2005, me kërkesën time, për t’u futur në politikë. Nuk po merrem me kohën kur si komandat regjimenti i ke dhënë vëllezërve të tu ish- reparte ushtarake në Marikaj, Vorë dhe Kamëz”, ishin akuzat e deputetit ndaj Lleshajt.
Më herët Lleshaj tha se Shqipëria nuk ka njolla te krimit ndërsa niveli i treguesve është në më të mirin e tij historik. Ministri theksoi se është papranueshme sipas tij të bëhet politikë mbi krimin kundër policisë, ndërsa iu përgjigj deklaratave të opozitës duke i cilësuar si të djegura. Sa i përket kanabisit, Lleshaj tha se hashashi në Shqipëri ka marrë goditje shkatërrimtare, por për opozitën situata në vend nuk ka nevojë për statistika.
Pak ditë më parë Elbasani u përmend nga kryeprokurori I përgjithshëm si një qytet i kapur nga krimi ndërsa kanabisi është ngritur si shqetësim pas ngjarjes së rëndë në Malësi të Madhe, ku dy persona u vranë për hashashin.