Lutfi Dervishi: Sot Kosova vetëvendosi, sfida është menaxhimi i fitores

Sipas analistit Lutfi Dervishi, rezultat e zgjedhjeve treguan se “sot Kosova nuk vendosi por vetëvendosi , duke i dhënë partisë së Kurtit një besim shumë të madh, që ka tre shtylla, mërgatën, të rinjtë dhe gratë. Nuk ka surprizë për fitoren, e panjohur është vetëm shkalla e fitores”.
LDK ka humbur pothuajse gjysmën e elektoratit. “Humbësja e madhe është LDK, dhe duhet analizuar sa ka ndikuar ikja e zonjës Osmani. Nuk besoj së kanë të bëjnë me menaxhimin e situatës, por më shumë mënyra se si u ngjiz dhe u prish menjëherë koalicioni me Vetëvendosjen”, thotë Dervishi.
Sipas tij, dyshja Osmani-Kurti, “nuk paraqet hidhësinë që ka karakterizuar koalicionet e tjera. Sigurisht kanë dallime, por nuk duken që nuk mund të sheshohen. VV është parti relativisht e re, që ka lindur duke shkruar në mure, që në thelbin e premtimeve nuk ka çështjet e mëdha, por çështjet e brendshme, çështjet e punësimit, arsimit, korrupsionit.
Një forcë që thuhet se kërkon revolucione, por revolucionin e bën në kutinë e votimit. Sfida tani është menaxhimi i fitores, Kosova ka vuajtur nga stabiliteti qeverisës, aq sa asnjë qeveri ka mbaruar mandatin, në 12 vjet Kosova ka patur 6 zgjedhje parlamentare, ndërkohë që Shqipëria në 30 vjet ka patur 9”, vijon analisti për A2.
Sipas tij, tashmë qeveria Kurti “duhet parë në marrëdhëniet që ai konsideron dytësore, si marrëdhënia me Serbinë, si dhe çështja e liberalizimit të vizave. Por të gjitha këto nuk do të kenë vlerë, në qoftë se nuk ka marrëveshje për presidentin”.