“Makthi” i Kakavijës, Gjoni: Fakti që u zgjidh do të thotë se kishte një problem, emigrantët ndihen të huaj në vendin e tyre

Makthi i mijëra shqiptare në Kakavijë u zgjidh gjatë natës, pas 4 ditëve në mes të diellit, plot frustrim për masat greke në kufi, por edhe hidhërim për palën shqiptare që dukej e pafuqishme ose pothuajse e dizinteresuar. Analistja Edlira Gjoni, sigurisht e lumtur për zgjidhjen, evidenton gjithsesi faktin se “përderisa u gjet një zgjidhje domethënë që ka pasur një problem, dhe do të ishte mirë që të ishte zgjidhur që në fillim”.
Gjoni nuk është nga ata që i vejnë fajin vetëm qeverive, edhe pse pohon se “gjithçka do të ishte zgjidhur më parë në qoftë se disa politikanë do të ishin zgjuar nga pushimet”.
Gjithsesi sipas saj ngjarja duhet të dimensionohet në një situatë aspak të thjeshtë. “E vërteta është që në këto 4 ditë, radhë po aq të gjata kanë qenë në kufirin grek me Bullgarinë, nuk u zgjuan greket me mendimin si t’i bëjmë keq Shqipërisë. Në portin e Doverit, në Angli, ka patur radha jo më pak të gjata. A mund të ishte ndërhyre më shpejt? Padyshim kishte nevojë, sepse ngjarja u shndërrua në krizë humanitare, në atë pikë nuk kërkohen më fajtorët por zgjidhjet”.
Një tjetër aspekt, ndoshta edhe më i dhimbshëm, është ndjesia që ato persona kanë patur, jo vetëm në këto 4 vjet, ndaj autoriteteve të vendit të tyre. Shumë nga udhëtarët në Kakavijë kanë deklaruar se pas kësaj traume nuk do të kthehen më në Shqipëri.
“Siç janë ndjerë këto 4 ditë janë ndjerë gjithmonë në Shqipëri, mezi presin të shkojnë në një vend ku nuk janë të mirëpritur, sepse në vendin e tyre ndihen akoma më të huaj dhe pa mbështetje. Nuk e ka fajin vetëm kjo qeveri, kjo është pasojë e një batërdie 30- vjeçare, me politika jo-shqiptare, ku politika nuk nuk përpiqet fare. Duan paratë dhe votat e emigranteve, por nuk bëjnë një fushate informuese që mund të shmangte këtë katastrofe”, thotë Gjoni për A2.