Malaj: Palët kanë rënë dakord për zgjedhje të parakohshme, po negociojnë detajet

Në qoftë se në politikën shqiptare ka personazhe që kanë arritur të vlerësohen nga palët e ndryshme, Arben Malaj është një nga këto. Së fundmi, lideri republikan Fatmir Mediu e citoi si një nga kandidatët më serioz në rastin e një qeverie tranzitore.
Këtë hipotezë, ish ministri i Ekonomisë dhe i Financave e mohon duke e mbyllur me një “Mediu dhe unë jemi miq shumë të mirë”, edhe pse pastaj shton se “nuk merrem me supozime, në kohën e caktuar probabiliteti që të përgjigjem po ose jo është i barabartë”.
Por kjo përgjigje disi enigmatike nuk mohon bindjen e tij për nevojën që vendi ka për një qeveri tranzitore.
Madje ai e cilëson atë si “zgjidhja më të mirë të detyrueshme”. Një marrëveshje që nuk do të përfshinte një zgjidhe të tillë për Malajn “ mund të ndodhë, por ajo do të jetë mbi gërmadhat e shpresave të vrara të shqiptarëve”, siç e përshkruan.
Por skenari i qeverisë tranzitore për ekonomistin e shquar nuk është thjesht hipotezë, por një marrëveshje që tashmë po konkretizohet.
Ai e shpjegon atë në tre faza. “Do arrihet fillimisht një marrëveshje që zgjedhjet vendore të shtyhen pak. Hapi i dytë do të jetë krijimi i një qeverie tranzitore, që nuk do të zgjasë deri në zgjedhjet e 2021, por deri në zgjedhjet e parakohshme, dhe duket që palët kanë rënë dakord që kur të arrijnë marrëveshjen për zgjedhjet vendore të kenë caktuar edhe datën e ardhshme. Periudha nga zgjedhjet vendore tek ato parlamentare i jep kësaj qeverie transitore mandatin për një reforme politike”.
Po në qoftë se një marrëveshje ekziston në tryezë, pse palët duket sikur janë në përballjen e tyre më të ashpër? Malaj e shpjegon me atë që quan game theory. “Asnjë nuk e tregon marrëveshjen deri ditën që ajo do të formatohet në të tre elementët”. Arsyja? “Maksimizimi i përfitimit të palëve”, sipas Malajt.

Shkarkoni aplikacionin e A2