Manja: Ligjet me 84 vota? Do t’i vejmë sërish në tryezë. Nano? Nuk ka nevojë për ftesë, pjesë e PS

Kryetari i komisionit parlamentar të Ligjeve Ulsi Manja është një nga figurat më aktive të Partisë Socialiste. Për A2 Cnn i flet për ngjarjet e fundit politike, kërkesat e opozitës, por edhe dialogun e ri që mazhoranca mendon të ndërmarrë me opozitën “ e re” që gjendet tashmë në sallën e Parlamentit.
Opozita tradicionale kërkon vetëm një gjë për t’ u rikthyer në skenën e politikës: Dorëheqjen e Edi Ramës. I fortë nga Kongresi i sotëm, Manja përgjigjet se “ Ramën nuk e lejnë këto njerëz në shesh të dorëhiqet. Kemi një kontratë ne”. Dhe shton se “Do të ishte sikur ne të themi që nuk duam Bashën si lider të PD-së, por Sali Berishën”. Shembull, apo dëshirë?
“Ne duam një kundërshtar dinjitoz, që pranon rezultatin e zgjedhjeve, dhe nuk merr përsipër të shaj Shqipërinë në çdo kancelari”, thotë Manja.
Ka tashmë një tjetër opozitë në Parlament. Sa mund të dialogohet me to? “Unë besoj se do të ketë deputetë të tjerë që do të marrin mandatet. Normal që të gjitha ligjet që kanë nevojë për 84 vota ne do t’i vejmë prapë në tavoline”, thotë qartazi Manja.
Cilat, specifikisht? “Janë ligjet që kanë të bëjnë me zbatimin e reformës në drejtësi, si ligji për organet e qeverisjes dhe ligji i statusit, që kanë ngelur të bllokuar për një vit për shkak të bojkotit”.
Teorikisht, në Parlamentin e ri ekzistojnë votat për një shkarkim të presidentit Ilir Meta. Ulsi Manja e refuzon mundësinë, duke thënë se “ne e kemi votuar Presidentin për të qenë aty ku është” dhe që deklarata që citon Allenden ndoshta ka ndodhur në “një moment emocional”, por në mënyrë hipotetike shton se “ nëse presidenti vendos të mbajë atë qëndrim, zgjidhjet do të jenë brenda kushtetutës”.
Ishte folur shume për një rikthim të Fatos Nanos, të paktën në Kongres, por nuk ndodhi. “Nuk i di arsyet”, thotë Manja, “ka patur një ftesë edhe pse ai nuk ka nevojë për ftesa, është pjesë e PS-së”.
Një rikthim aktiv i tij është i pamundur? “ketë punën e fallit dhe të filxhanit lërjani opozitës”, e mbyll kryetari i komisionit parlamentar të Ligjeve.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN