Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Marrëdhënia bashki–privat, qeveria ligjëron bashkëpunimin për ndërtimin e pallateve

Nga A2 CNN
23 Korrik 2021, 19:07 | Ekonomi
Marrëdhënia bashki–privat, qeveria ligjëron

Nëpërmjet një vendimi të Këshillit të Ministrave qeveria shqiptare ka ligjëruar bashkëpunimin e Bashkive me subjektet private, për ndërtimin e pallateve.

Përmes këtij vendimi, kompanitë mund të ndërtojnë në hapësirat publike të bashkive, me kushtin  që një pjesë të objektit të ndërtuar t’i kthehet bashkisë.

“Procedura konkurruese synon që trualli në pronësinë e njësisë së vetëqeverisjes vendore të shkëmbehet me sipërfaqe ndërtimore sipas vlerës më të lartë të shkëmbimit, kur ndërtimi realizohet me financim të subjekteve private.”

Vendimi që mban firmën e zëvendëskryeministrit Erion Braçe përcakton mënyrën si do të  kontraktohen bizneset, teksa ndërtuesit në garë duhet të paraqiten së bashku me ofertën e banesave për strehim që do t’i japin Bashkisë.

Lidhur me vendimin ka reaguar dhe Partia Demokratike, që nëpërmjet deputetes Jorida Tabaku, e ka cilësuar atë si skemë mafioze.

“Një skemë mafioze për të kapur çdo truall të lirë publik që ky i fundit të zhvillohet nga klientët e qeverisë. Një skemë e shëmtuar që u përdor dhe në lidhje me truallin e Teatrit Kombëtar. Tanimë, do të përdoret kjo skemë korruptive dhe mafioze për të zhdukur parqet dhe për t’i justifikuar si banesa sociale”, u shpreh Tabaku.

Sipas demokratëve, nuk do të jenë qytetarët që do t’i përfitojnë këto banesa, por ato do të shërbejnë për klientët e qeverisë.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu