Marrëdhëniet e punës, 60% e shqiptarëve të pakënaqur – A2

Marrëdhëniet e punës, 60% e shqiptarëve të pakënaqur

Dy në tre të punësuar në vend janë të pakënaqur me punën e tyre. E nëse shumë synojnë një punë në shtet, administrata publike ka dhe nivelin më të lartë të atyre që ndihen më pak të vlerësuar.
Sondazhi i zhvilluar nga qendra kërkimore EPPC konstaton se pagat e ulëta dhe mundësitë e pakta për karrierë që ofrojnë kompanitë për punonjësit, shihen si dy arsyet kryesore që i detyrojnë të kërkojnë një punë të re.
Ne nuk kemi një sistem të mirëfilltë performance ku njerëzit të marrin vlerësimin e duhur për atë që bëjnë. Këtu fillon punë me një pagë “x” dhe kjo nuk lëviz për shumë kohë. Normalja është që paga të rishikohet çdo vit. Kompanitë për të rritur reputacionin duhet të jenë atraktive, veçanërisht për të rinjtë e talentuar”, thotë për A2 Erald Pashaj, administrator i EPPC.
Shqetësuese mbetet edhe puna në të zezë, pasi të dhënat tregojnë se 16% të anketuarve deklarojnë se nuk kanë një kontratë pune.
Ndërkaq, ajo që vihet re kohët e fundit është një ndërgjegjësim në rritje i shqiptarëve për të vendosur një balancë punë-jetë private, duke i kushtuar më shumë kohë familjes dhe aktiviteteve jashtë pune.