Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Matura shtetërore, Shahini sqaron testet dhe pse nuk dalin tabletat nga shkollat

Nga A2 CNN
15 Prill 2020, 13:40 | Sociale
Matura shtetërore, Shahini sqaron testet dhe pse nuk dalin tabletat nga

Ministrja e Arsimit Besa Shahini sqaroi testet e maturës shtetërore, por i dha përgjigje edhe një pyetjeje se pse nuk dalin nga shkolla tabletat në ndihmë të nxënësve që nuk kanë akses në teknologji.

I gjithë shqetësimi i mbi një muaji mësim online është kryesisht i përqendruar tek maturantët dhe provimet e tyre, ndërsa në vjeshtë kërkojnë të hapin dyert e universiteteve. Ministria e Arsimit i siguroi edhe një herë se janë hequr nga testet të gjitha temat që nuk janë zhvilluar në bankat e shkollës.

“Në testin e maturës nuk do të ketë pyetje që reflektojnë temat e mësuara në shtëpi. Në testin e maturës do të kemi pyetje nga klasa e 10-të, 11-të, ndërsa për klasën e 12, tema për aq sa nxënësit kanë qenë në shkollë. Kjo për arsye se e kuptojmë se zhvillimi i koncepteve të reja në kushte shtëpie është i vështirë dhe jo gjithë nxënësit kanë mësuar tema të reja në të njëjtën kohë’’, tha ministrja.

Lidhur me pyetjen se pse nuk u jepen nxënësve që nuk kanë akses në teknologji, tabletat që ndodhen në 120 klasa ku mësimi bëhej në mënyrë dixhitale, Shahini tha se kjo është e pamundur për dy arsye.

https://a2news.com/2020/04/01/pandemia-mban-shkollat-mbyllur-pa-afat-shahini-mesimi-vijon-online/

‘’E vështirë të nxirren nga shkolla për shkak të procedurave administrative, por kjo edhe mund të zgjidhet, por edhe praktikisht është e pamundur sepse karikimi bëhet brenda klasës, nuk kanë karikues të lëvizshëm, ndaj bëhet i papërdorshëm’’, shtoi ajo.

Si në çdo mbyllje të mesazhit të saj, Shahini i bëri thirrje për ndjekjen e mësimit edhe përmes TVSH dhe kanalit në Youtube të Ministrisë së Arsimit dhe për çdo problem, tha, ’’më shkruani një e-mail’’,

Por pak më herët, gjatë komunikimit theksoi jo pa mërzi se ka nxënës që sot as e-mail nuk dinë të dërgojnë. Në fakt kjo është një e dhënë që tërheq vëmendje jo vetëm ndaj nxënësve, por edhe për cilësinë e mësuesve që japin teknologji informacioni, dhe se a kanë shkollat mjaftueshëm laboratorë me kompjuterë. Ministrja tërhoqi vëmendjen edhe mësuesve që kanë për detyrë të ngulisin në mendjen e nxënësve shkrimin e llojeve të ndryshme të letrave.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani