Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 0%

“Mbetëm me sytë nga rruga”, 1 vit pas tërmetit, familjet e pastreha në Ishëm kërkojnë ndihmë nga shteti

Nga A2 CNN
25 Shtator 2020, 10:57 | Aktualitet
“Mbetëm me sytë nga rruga”, 1 vit pas tërmetit,

Shirat e vjeshtës kanë mbërritur dhe disa familje në Ishëm vijojnë të jetojnë në çadra dhe kontejnerë, pasi shtëpitë e tyre u shkatërruan nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar.

“Janë të paktën 8 familje në atë zonë me shtëpi të shembura, të cilat nuk kanë marrë asnjë ndihmë deri tani dhe jetojnë në kushte skandaloze”, kështu u shpreh në Dita Jonë pedagogia e komunikimit Edlira Gjoni, e cila që nga tërmeti i 26 nëntorit është kujdesur për familjet e mbetura pa strehë.

Vetëm një ditë më parë, Gjoni tregon se ishte në Ishëm, atje ku thotë se familjen Kajmaku e gjeti duke hequr ujin me kova nga çadra. “Nga qeveria, që nga tërmeti i 26 nëntorit, këta njerëz në zonën e Ishmit nuk kanë parë asnjë njeri, nuk kanë marrë asnjë përfitim apo bonuse”.

Ndërkohë, gazetari Armend Pire ishte në familjen Kulla në Ishëm, të cilën po e gjen dimri i dytë në qiell të hapur. Kjo familje vijon të banojë në dy çadra dhe në një kontejner, në kushte mjaft të vështira.

“10 muaj në çadër kanë qenë të tmerrshme, me vuajtje, me fëmijë të vogël. Unë jam e sëmurë, me zemër, kam probleme me mushkëritë edhe bashkëshorti ka probleme shëndetësore. Deri tani janë duke na mbajtur me fjalë. Tani na kanë thënë në 1 tetor. Mbetëm me sytë nga rrugë”, tregon me lot në sy Sofie Kulla.

“Nuk kemi marrë as bonus qiraje dhe asgjë deri tani. Kemi aplikuar dhe na kanë thënë jo sot, jo nesër”, shprehet kryefamiljari, Baftjar Kulla.

Ndërsa dimri i dytë po afron, këto familje në Ishëm vijojnë të presin që dikush t’i ndihmojë për të ndërtuar shtëpinë e shkatërruar nga tërmeti.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani