Mbi 80 mijë viktima në SHBA, virusi në Shtëpinë e Bardhë, stafi urdhërohet të mbajë maska

Donald Trump këmbëngul në rihapjen e plotë te ekonomisë. “Dua të hapet në mënyrë të sigurt por e dua të hapur”, deklaroi presidenti amerikan.
Guvernatorët shohin shtimin e testimeve si çelësin për rihapjen e shteteve të tyre, dhe Shtëpia e Bardhë tha të hënën se 11 miliardë dollarë do të lëvrohet për ti ndihmuar të rrisin kapacitetet. Sipas ndihmës sekretarit për Shëndetin Publik, admiralit Brett Giroir, “synojmë të kryejmë 12 milion teste përgjatë 4javëve të ardhshme.
Deri në 17 maj të paktën 48 shtete do të jenë rihapur pjesërisht, me guvernatorët që do të vëzhgojnë me kujdes lëvizjen e shifrave. Siç e konfirmon edhe Mike De Wine, Guvernator i Ohio, që thotë “Ka rrezik nëse nuk rihap ekonominë por edhe nëse e rihap. Po përpiqemi të veprojmë me kujdes”.
Por të hënën bilanci i viktimave në Shtetet e Bashkuara i tejkaloi 80 mijë, sipas të dhënave të universitetit John Hopkins. E ndërsa presidenti kërkon me ngulm rindezjen e motorëve të vendit, koronavirusi hyn në Shtëpinë e Bardhë.
Dy pjesëtarë të stafit kanë rezultuar të infektuar, duke detyruar karantinimin e 3 anëtarëve të task forcës për koronavirusin, përfshirë ekspertin e lartë Anthony Fauci. Fillimisht u tha se edhe zëvendës presidenti Mike Pence do të vetë-izolohej, por numri dy i Uashingtonit rezultoi negative ndaj testit.
Çështja ka ngritur dyshime mbi masat e marra në Shtëpinë e Bardhë, edhe pse Trump përpiqet të zbusë situatën. “Shumë njerëz hyjnë e dalin në Shtëpinë e Bardhë. Shumica e tyre u janë nënshtruar testit. Çdokush që hyn në zyrën e presidentit është testuar”, tha Trump.
Të hënën stafi u këshillua të mbajë maska në fytyrë kur të hyjë në pjesën perëndimore të Shtëpisë së Bardhë dhe të ruajë distancën sociale.