Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB, Osmani: Kosova shtet i pavarur, Serbia të kërkojë ndjesë

Nga A2 CNN
16 Tetor 2021, 12:56 | Kosova
Mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB, Osmani: Kosova shtet i

Përplasje në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Protagonistë ishin presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikola Selakoviç. Edhe njëherë Beogradit iu paraqit realiteti i pandryshueshëm.

“Zotëri Selakoviç unë jam qytetare krenare e Republikës së pavarur dhe sovrane të Kosovës. Republika e Pavarur e Kosovës nuk shkon askund, është më mirë që ju të ballafaqoheni me këtë realitet”, u shpreh Osmani.

Osmani i kërkoi Serbisë që të kërkojë falje për gjenocidin në Kosovë. Gjithashtu i bëri thirrje Beogradit të hapë varrezat masive dhe të kthejë eshtrat e viktimave, në mënyrë që familjarët të kenë një vend për t’i çuar lulet të dashurve të humbur gjatë luftës. Debat shkaktoi dhe reciprociteti për targat, që u kritikua nga UNMIK, si dhe operacioni anti-kontrabandë i policisë së Kosovës.

“Hyrjet e formacioneve të policisë nga Prishtina të përbëra vetëm nga shqiptarët në veri të Kosovës në pretekste dhe motive të ndryshme dhe me përdorimin e forcës së shtuar janë provokime që kanë potencial shumë të rrezikshëm për të destabilizuar gjendjen tanimë sensitive tanimë në teren”, tha Nikola Selakoviç, ministër i Jashtëm i Serbisë.

“Më lejoni ta qartësoj se cili është qëndrimi publik i KFOR-it, sipas KFOR-it, operacionet kanë qenë në disa komuna, duke përfshirë edhe ato në veri, dhe Policia e Kosovës ka pasur autoritetin dhe përgjegjësinë e plotë në ekzekutimin veprimeve për sundimin e ligjit, dhe kur ata e bëjnë këtë, ata nuk kanë nevojë për leje shtesë”, tha Osmani.

SHBA kërkoi përmbylljen e misionit të UNMIK në Kosovë. Arsyeja, nuk luajti asnjë rol në uljen e tensioneve mes Prishtinës dhe Beogradit pas vendosjes së reciprocitetit për targat.

“Ngjarjet e fundit, përsëri, demonstruan se UNMIK e ka përmbushur qëllimin e tij siç është përshkruar në mandatin fillestar. Ne duhet ta pranojmë këtë realitet dhe të shkojmë drejt mbylljes së tij”, tha Jeffrey Delaurentis, përfaqësues i SHBA në Këshillin e Sigurimit të OKB.

Kërkesë e cila u përshëndet fillimisht nga presidentja Osmani, dhe më vonë edhe nga ambasada amerikane në Kosovë. Ndër të tjera, Osmani foli dhe për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, për të cilin tha se duhet të përmbyllet me njohje reciproke. Gjithashtu akuzoi Serbinë se nuk ka zbatuar shumicën e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe tha se ky shtet po drejtohet nga ish-ministrat e Millosheviçit.

A2 CNN Livestream

Dita jonë