Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 100%
  • Zonat malore 0%
  • Qendrat historike 0%

Mbrojtja e mjedisit, vullnetarët pastrojnë plazhin e Darëzezës

Nga A2 CNN
5 Maj 2019, 13:27 | Sociale
Mbrojtja e mjedisit, vullnetarët pastrojnë plazhin e

Pak javë para nisjes zyrtare të sezonit veror shumë plazhe të Shqipërisë janë larg kushteve për të pritur pushues. Plehrat e grumbulluara ndër vite njollosin ambientin dhe kufizojnë potencialin e zonave turistike për të përmirësuar ekonominë e tyre.

Dhjetëra vullnetare vendosën ta kalonin ndryshe këtë fundjavë. Ata shkuan në plazhin e Darëzezës për të dhënë kontributin e tyre në mbajtjen pastër të mjedisit. Mbi të gjitha, ata duhet të japin një mesazh për të mbajtur pastër ambientin.

Vullnetarët u pajisën nga organizatorët e aksionit me doreza plastike dhe qese për të grumbulluar mbeturinat që ishin të shpërndarë kudo, nga dekada pandjeshmërie ndaj natyrës.

“Donim të jepnim një dorë në pastrimin e plazheve, zonave turistike për të ndihmuar mjedisin dhe turizmin në vendin tonë. Puna që është bërë sot nuk është asgjë në krahasim me mesazhin që ne jemi duke dhënë për të sensibilizuar opinionin publik rreth kësaj problematike të madhe, e cila vjen kryesisht nga mbetet plastike”, shprehet Dael Dervishi, drejtor ekzekutiv i “Optima Foundation”.

Një ditë pushimi në punë për të pastruar ambientin, për të marrë pak rreze dielli, por edhe për të bërë foto dhe selfie në grup.

“Ky plazh, me sa kemi parë, ishte goxha i ndotur në pjesën e pyllit, por edhe në zonën pranë detit. Ne jemi një grup modest sot nga “Gener 2”. Në muajt në vazhdim synojmë të rritemi edhe më shumë, duke ndihmuar në mbajtjen pastër të ambientit”.

Rezultatet e pak orëve pune të organizuar përkthehen në dhjetëra thasë me mbeturina që largohen për të mos eklipsuar më natyrën. Me shpresën që pamja e një plazhi të pastër do të nxisë pushuesit e ardhshëm të respektojnë ambientin, është radha për një tjetër mision pastrimi.

Dita përfundon me një vizitë në parkun arkeologjik të Apollonisë, një qendre të qytetërimit, të ngritur atëherë kur njeriu dhe natyra ende bashkëjetonin në harmoni.

A2 CNN Livestream

Dita jonë