Mbyllen dyqanet në veri, protestë kundër tarifave prej 100 %

Të gjitha dyqanet e ushqimeve, ulën qepenat të hënën në veriun e Kosovës, e bashkë me to u solidarizuan edhe kafenetë, farmacitë, pikat e karburanteve e madje edhe taksitë. Mbyllja e dyqaneve bëhet në shenjë proteste ndaj tarifave prej 100 për qind, që qeveria e Kosovës u vuri mallrave serbe në nëntor të vitit të kaluar.
Autoritetet në Beograd dhe përfaqësues lokalë të serbëve në veri, thonë se tarifat dhe kontrollet e policisë së Kosovës, që ka mbyllur rrugët alternative, kanë bërë që të mungojnë produktet kryesore, siç janë mielli, si dhe prodhimet e qumështit.
Ata pretendojnë se veriu është në “prag të krize humanitare”. Por, autoritetet në Prishtinë thonë se kjo është një lojë e Beogradit dhe se nuk ka krizë humanitare në Kosovë.
“Krizë humanitare nuk ka në Kosovë. Ka improvizim dhe tendenca të Serbisë për t’i paraqitur si viktimë qytetarët serbë në veri të Kosovës. Prandaj është shumë me rëndësi që e gjithë bota demokratike të njeh realitetin dhe të kuptoj realitetin. Dhe ky pretendim i ri i Serbisë është i dështuar” deklaroi presidenti Hashim Thaçi.
Më 21 qershor, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj paralajmëroi përmes rrjeteve sociale se zyrtarë dhe biznesmenë serbë në veri të Mitrovicës së bashku me Beogradin zyrtar, po përgatisin një plan për të paraqitur, gjendjen e një katastrofe humanitare në atë pjesë të Kosovës.
Të hënën, kryeministri Haradinaj shkroi në rrjetet sociale se “simulimi i katastrofës humanitare nga ana e Serbisë, është një tjetër përpjekje e dështuar për destabilizim.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN