Mbyllet gjuha ruse, Fakulteti apel Ministrisë për uljen e mesatares

Në universitetet mësimi ka filluar prej ditësh, por nuk ndodh kështu në disa degë. Kjo është një nga klasat e gjuhës ruse në fakultetin e gjuhëve të huaja në Tiranë. Në vitet e para nuk bëhet mësim, pasi nuk ka asnjë student.
“Është një gjuhë që nuk i ikën koha, nga më të rëndësishmet në veprimtaritë ndërkombëtare. Kemi marrë shumë tituj, grada për këtë profil, dhe tani gjendemi në këtë situatë.” thotë Eda Shehu, pedagoge e rusishtes.
E nëse rusishtja nuk është hapur këtë vit akademik, gjuha greke dhe turke janë po aq të rrezikuara për tu mbyllur. Në degën e greqishtes ka vetëm 4 studente dhe në turqisht 7, pjesëmarrje që nuk e ndesh as në kurset private. Pavarësisht këtij numri pedagoget vijojnë mësimin me frikën e humbjes së punës.
“Gjithë stafi pedagogjik është me doktoraturë. Ky është viti i parë pas disa vitesh të suksesshme, ku kemi vetëm 4 studentë. Dhe kjo është goxha shqetësuese”, pohon Idisa Fuçi, pedagoge e gjuhës greke.
Këtë vit të gjitha degët e fakultetit të gjuhëve të huaja kanë më pak studentë. Penaliteti sipas dekanit Artur Sula ka ardhur nga rritja e notës mesatare, 7.5 për degët e mësuesisë. Por gjuhet e huaja nuk kanë profil kryesor mësuesinë, ndaj i kërkojnë ministrisë se arsimit uljen e mesatares në 6.5 si në degët e tjera.
Ministria e Arsimit po shqyrton krizën në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja për të dalë në një vendim. Pak javë më parë, për të shpëtuar nga mbyllja degët e arteve dhe sporteve, qeveria hoqi notën mesatare për hyrjen në këto degë specifike.

Shkarkoni aplikacionin e A2